Diabetologji

tet292019

Infeksionet e traktit urinar. Inhibitorët e SGLT-2 janë të sigurt

Përdorimi i inhibitorëve të bashkëtransportuesit SGLT-2 në trajtimin e diabetit melit të tipit 2, nuk e shton rrezikun për infeksione të traktit urinar (UTI), krahasuar me dy klasat e tjera të barnave antidiabetike (inhibitorët e dipeptidil peptidazës 4 [DPP-4] dhe antagonistët e receptorit glucagon-like peptide-1 [GLP-1]).

Ky është përfundimi i një studimi të botuar në "Annals of Internal Medicine", i kryer me një popullsi të gjerë diabetikësh të rritur në SHBA. "Studimet e mëparshme mbi vlerësimin e rrezikut për UTI të rëndë, për shkak të inhibitorëve të SGLT-2 kanë raportuar rezultate kontradiktore", thotë autori kryesor, Chintan Dave (Brigham and Women's Hospital, Boston). Studiuesit krijuan 2 kohorte, secila me më shumë se 100,000 individë, në të cilët pacientët e trajtuar me frenues SGLT-2 u krahasuan, në një raport 1:1, me pacientë të trajtuar me frenues të DPP-4 (grupi 1) ose me antagonistë të receptorit GLP-1 (grupi 2). Gjatë një periudhe prej rreth 2 vjetësh, nuk janë evidentuar dallime në normën e UTI-ve të rënda midis trajtimeve.
Në fakt, në grupin 1, individët e prekur nga infeksione serioze kanë qenë: 61 në grupin e terapisë me inhibitorë të SGLT-2 dhe 57 në grupin me inhibitorë të DPP-4 (shkalla e incidencës 1.76 dhe 1.77 raste për 1.000 vite/njerëz, përkatësisht; P = 0,93). Në grupin 2, pacientët me infeksion kanë qenë: 73 në grupin me inhibitorë SGLT-2 dhe 87 në grupin antagonist të receptorit të GLP-1 (shkalla e incidencës 2.15 dhe 2.96 raste për 1.000 vite/njerëz, përkatësisht; P = 0.040).

Rezultatet u konfirmuan edhe në rastin e infeksioneve të vogla dhe nuk pati asnjë ndryshim në analizat e ndjeshmërisë dhe të nëngrupeve. Në një editorial të lidhur, Kristian Filion dhe Oriana Yu, nga Instituti Lady Davis në Spitalin e Përgjithshëm Hebraik në Kanada, nënvizojnë implikimet e rëndësishme të studimit, ndonëse theksojnë kufizimet dhe në veçanti, faktin që u përjashtuan pacientët me rrezik të lartë për UTI (subjektet me hidronefrozë, refluks veziko-uretral, dëmtim të palcës kurrizore ose përdorim të kateterit).
"Në fund të fundit, megjithëse mbeten disa paqartësi, studimi siguron prova inkurajuese në botën reale të frenuesve të SGLT-2, duke u dhënë mundësi pacientëve të përfitojnë nga përdorimi i tyre, me besim më të madh në sigurinë e tyre në lidhje me UTI-të e rënda", përfundojnë ata.


Ann Intern Med. 2019 Jul 30. doi: 10.7326/M18-3136.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31357213

Ann Intern Med. 2019 Jul 30. doi: 10.7326/M19-1950.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31357211


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>