Mjekësi e përgjithshme

maj102022

Dëmtimi i shqisës së nuhatjes është i lidhur me shtimin e vdekshmërisë

Sipas një rishikimi të literaturës dhe metaanalize të publikuar në JAMA Otolaryngology - Head & Neck Surgery, dëmtimi i nuhatjes lidhet me vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet dhe mund të konsiderohet një shënjues i shëndetit të përgjithshëm dhe i plakjes biologjike. "Dëmtimi i nuhatjes është shumë i përhapur dhe lidhet me sëmundje të shumta shoqëruese, të tilla si çrregullimet neurodegjenerative, kardiovaskulare, ushqimore dhe imune. Sidoqoftë, shoqatat epidemiologjike nuk pajtohen sa i takon lidhjes së dëmtimit të nuhatjes me vdekshmërinë", shpjegon Natalie Yan-Lin Pang, Universiteti Kombëtar i Singaporit, autorja kryesore e punimit. Për të sqaruar më mirë lidhjet epidemiologjike midis dëmtimit të nuhatjes dhe vdekshmërisë, studiuesit zgjodhën ndër studimet vëzhguese të PubMed, Embase dhe Cochrane Library që raportuan praninë ose ashpërsinë e dëmtimit kronik të nuhatjes, të matur objektivisht dhe të vetëraportuar, në lidhje me çdo vlerësim të vdekshmërisë, mes të rriturve 18 vjeç e lart.

Në studim janë përfshirë një studim kohorte retrospektiv dhe 10 studime kohorte perspektive, në një numër të përgjithshëm prej 21,601 pjesëmarrësish. Dhjetë studime kishin një rrezik të ulët biasi, ndërsa një studim paraqiste rrezik mesatar. Megjithatë, përjashtimi i këtij të fundit nuk i ndryshoi përfundimet. Në metaanalizë u përfshinë nëntë studime. Humbja e nuhatjes u shoqërua me një rrezik kumulativ dukshëm më të lartë të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. Autorët arritën në përfundimin se do të nevojiten më shumë kërkime për të vendosur mbi mekanizmat themelorë. Në një editorial shoqërues, Nyssa Farrell, Lauren Roland dhe John Schneider, nga Universiteti i Uashingtonit, SHBA, janë të bindur në lidhje me nevojën për studime të mëtejshme mbi diagnozën, trajtimin dhe efektin e dëmtimit të nuhatjes.

"Jemi ende shumë të kufizuar përsa iu përket trajtimeve të mundshme për dëmtimin e nuhatjes, megjithëse po punohet shumë për të gjetur opsione të reja dhe më të mira. Ne i përgëzojmë autorët e këtij studimi që morën përsipër të sqaronin lidhjen e dëmtimit të nuhatjes me vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet dhe shpresojmë të shohim një shtim të vëmendjes për të kuptuar rëndësinë e sistemeve të nuhatjes në jetën e pacientëve", përfundojnë editorialistët.


JAMA Otolaryngology - Head & Neck Surgery 2022. Doi: 10.1001/jamaoto.2022.0263
http://doi.org/10.1001/jamaoto.2022.0263

JAMA Otolaryngology - Head & Neck Surgery 2022. Doi: 10.1001/jamaoto.2022.0264
http://doi.org/10.1001/jamaoto.2022.0264


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>