News

qer162022

Urgjenca polivalente në QSUT, e tejmbushur. Prof. dr. Eqerem Hasani: 300 urgjenca në ditë. Nuk kemi hapësira

Fluks pacientësh në urgjencën polivalente të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë. Paraqiten mbi 300 raste urgjente në ditë, duke e bërë të papërballueshme situatën. Problemet me zemrën, veshkat, por dhe ato gastro-hepatologjike duket se janë shtuar më shumë pas Covidit. Por, sipas shefit të Urgjencës, prof. dr. Eqerem Hasani, pjesa më e madhe nuk janë për në urgjencë.

"Nga 300 raste që paraqiten në ditë, vetëm 35% e tyre e kanë vërtet të nevojshme. Pjesa tjetër gjen rrugën e shkurtër, sepse po erdhe në urgjencë merr shërbim, të bëhen të gjitha analizat e detajuara. Qytetarët i anashkalojnë mjekët e qendrave shëndetësore. Janë 60 autoambulanca që vijnë nga rrethet. Mjekët e rretheve sjellin epikriza marramendëse duke i përcjellë pacientët për në QSUT, edhe kur nuk e kanë të nevojshme. Ndaj, kjo gjë duhet të zgjidhet sa më parë. Spitali i një qyteti nuk duhet të nisë njerëz për në Tiranë, pa u konsultuar më parë më shefin e shërbimit në QSUT", shprehet i shqetësuar shefi i urgjencës polivalente në QSUT.

Për shkak të rikonstruksionit që po i bëhet spitalit infektiv, në urgjencën polivalente vijnë edhe rastet që pësojnë helmime apo me probleme të tjera infektive, të cilat, shefi i shërbimit të urgjencës thotë se nuk ka hapësira për t'i përballuar.

"Në këto 300 raste urgjente, 70-80 duhet të shkojnë në urgjencën infektive. E kam të pamundur t'i përballoj. Fundjavat janë të tmerrshme. Nuk kam hapësira. U kam dërguar disa herë shkresa për ta zgjidhur sa më parë", shpjegon prof. dr. Eqerem Hasani.
Kur nisi rikonstruksioni i spitalit infektiv, u tha që të gjitha rastet do të priten në ish-spitalin Covid 3, por kjo nuk po ndodh. Vetëm në fund të korrikut mund të përfundojë së rikonstruktuari Urgjenca e Shërbimit Infektiv.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>