News

kor52022

Prof. dr. Artan Goda: Rritja e rasteve me probleme të zemrës ka shtuar insuficiencat kardiake. Çdo vit, 3360 raste të reja

Pas dy vjetësh pandemi, numri i infarkteve kardiake ka pësuar rritje në vendin tonë. Negativisht kanë ndikuar stili i jetesës, por dhe ushqimet e pashëndetshme, si dhe ndikimi që ka pasur virusi i Covid-19 në enët e gjakut. Prof. Artan Goda shpjegon për Doktor33 se infarktet po hasen edhe në mosha shumë të reja.

"Hipertensioni, apo kolesteroli i lartë i pamjekuar, të ndikuar dhe nga mënyra e jetesës me reduktim të lëvizjes, kanë pasur impaktin e tyre në shtimin e problemeve kardiovaskulare në popullatën tonë, por jo vetëm. Problemet kardiake janë shtuar kudo", shpjegon Prof. dr. Artan Goda, shef i shërbimit të kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Por, infarktet dhe të  gjitha episodet apo problemet kardiake dëmtojnë muskulin e zemrës i cili çon në insuficienca kardiake, që janë shtuar gjithashtu. Përllogaritet se 1 në 5 pacientë, vuan nga insuficienca kardiake.

"Janë rritur insuficiencat kardiake sepse të gjitha goditjet e infarktit i merr muskuli i zemrës dhe dëmtimi i tij çon në insuficiencë kardiake. Kur një person shpëton nga infarkti, sigurisht atij i shpëtohet jeta, por më vonë ai kalon në insuficiencë kardiake. Dhe këto raste, janë shtuar. I gjithë suksesi i  mjekimit të problemeve kardiake është të shpëtojmë muskulin e zemrës, pasi sa më shumë dëmtohet muskuli i zemrës, aq më shume insuficiencë kardiake do të ketë", shpjegon Prof. dr. Goda.
Së shpejti pritet që edhe në Shqipëri të mbërrijë një medikament i ri i cili trajton insuficiencat e theksuara kardiake. Ky medikament jo vetëm që do të rrisë cilësinë e jetës së pacientëve kardiakë, por i vjen në ndihmë edhe sistemit shëndetësor, pasi shkurton ditë qëndrimi të pacientëve në spital, theksoi kardiologu i njohur.

Në Shqipëri, rreth 140 mijë shqiptarë vuajnë nga insuficienca kardiake. Çdo vit shtohen 3360 raste të reja.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>