Mjekësi e përgjithshme

mar62020

Infeksionet stafilokokale. Mjedisi shtëpiak favorizon përhapjen

Një studim i botuar në "Lancet Infectious Diseases" ka treguar që mjedisi familjar vepron si rezervuar për transmetimin e Staphylococcus aureus, rezistent ndaj meticilinës (MRSA) brenda familjeve.
"Mjedisi shtëpiak luan rol kryesor në transmetimin e MRSA-së në komunitet, kështu që pastrimi i kujdesshëm i sipërfaqeve të shtëpisë mund të ulë ndjeshëm numrin e këtyre infeksioneve", shpjegon Stephanie Fritz (Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit) autore kryesore e studimit.

Studimi u përqendrua në familjet e 150 fëmijëve me moshë mesatare tre vjeç, të cilët ishin trajtuar për infeksione stafilokokale në spitale dhe klinika pediatrike nga viti 2012 deri në 2015, në një numër të përgjithshëm prej 692 vetësh dhe 154 qen e mace. Studiuesit vizituan secilën shtëpi pesë herë gjatë një periudhe një vjeçare për të marrë tampona nga njerëzit. Sa për qentë dhe macet, studiuesit mblodhën mostra nga brenda hundës dhe përgjatë kurrizit të kafshëve, zona ku ato preken kryesisht. Gjithashtu, ata kërkuan praninë e stafilokokut në 21 sipërfaqe shtëpiake.
Kështu, ekspertët kanë konfirmuar praninë e MRSA-së në thuajse gjysmën e njerëzve dhe në një të tretën e kafshëve shtëpiake të paktën një herë gjatë vitit. "Menduam se qentë dhe macet mund të ishin një rezervuar për stafilokokun dhe të luanin rol në shpërndarjen e tij, por studimi ynë ka treguar se këto kafshë kanë më shumë të ngjarë ta marrin bakterin nga njerëzit sesa ta transmetojnë atë", thotë Fritz.

Një analizë molekulare e secilës mostër stafilokokale shërbeu si një gjurmë bakteriale, duke bërë të mundur për herë të parë identifikimin me saktësi të dinamikave të transmetimit të shtameve të veçanta. Autorët theksojnë se transmetimi i bakterit bëhet me më shumë lehtësi kur ka ndotje të konsiderueshme të sipërfaqeve, kur shtëpitë janë të papastra, në shtëpi me qira ose me shumë njerëz, në rastin kur ndahen dhomat e gjumit, peshqirët, rrojat dhe furçat e dhëmbëve, nëse ka një bartës. "Në fund, mesazhi kryesor, sado i thjeshtë të duket, është të lani duart shpesh, një gjest që ofron mbrojtjen më të mirë ndaj MRSA-së", përfundojnë ekspertët.

 

Lancet Infectious Diseases 2019. Doi: 10.1016/S1473-3099(19)30570-5
https://doi.org/10.1016/S1473-3099(19)30570-5


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>