maj222024
Tumoret pulmonare. Teknika e re për reagimin e hershëm dhe heqjen e lezioneve të dyshimta
Një teknikë novatore është zhvilluar për të hequr lezionet e dyshimta të mushkërive në fazat e hershme të sëmundjes, duke maksimizuar mundësitë e shërimit nga ajo që mbetet ende një vrasës i madh midis tumoreve sot: radiologët dhe klinicistët në Poliklinikën Gemelli kanë shpikur një metodë për "etiketimin" e këtyre lezioneve me anë të një spiraleje të vogël metalike (mikrospirale), të cilat përndryshe do të ishin shumë të vështira për t'u dalluar, në mënyrë që kirurgu t'i heqë më pas me një operacion minimal invaziv. Kjo teknikë është kryer në mbi 100 operacione. Është e vështirë që noduset e tumorit të mushkërive të hiqen në mënyrë minimale në fazat e hershme të zhvillimit. Ato nuk janë të dallueshme nga syri i kirurgut, pasi janë shumë të vogla, ende "jo shumë të dendura" dhe për këtë arsye nuk dallohet ndryshimi nga indet e shëndetshme të mushkërive. Prandaj lindi ideja e etiketimit të tyre.
"Teknika jonë, konsiston në pozicionimin, përpara operacionit, të spirales metalike me drejtimin e skanimit CT, në brendësi të këtyre noduseve shumë të dyshimta të mushkërive, lezione 'të paqarta', 'të buta' në prekje dhe shumë të vogla (përgjithësisht nën një centimetër), prandaj nuk dallohen pas inspektimit të drejtpërdrejtë (noduset 'e pjekura' të mushkërive tumorale janë të prekshme dhe dallohen menjëherë nga syri i kirurgut)", shpjegon Maria Teresa Congedo, profesoreshë e Kirurgjisë Torakale. Në momentin që kirurgët aplikojnë spiralen, për t'i bërë ato të dukshme, kryhet ndërhyrja kirurgjikale, e cila mund të kryhet me teknikën mini-invazive endoskopike (torakoskopike). Heqja e nodusit, konsiston në kryerjen e një incizioni prej 3 cm në murin e toraksit dhe vendosjen e një kamere të vogël për vëzhgimin e "etiketës". Në këtë mënyrë, kirurgu heq vetëm nodusin e dyshimtë, duke ruajtur indin pulmonar të shëndetshëm. Si pasojë, pacienti mund të shkojë në shtëpi pas dy ditësh, pasi koha e shërimit është e shpejtë.
"Ne nisëm të operojmë me këtë teknikë që në vitin 2019 dhe po vazhdojmë ta perfeksionojmë me kohën", përfundon Congedo.