Focus

mar162018

Pastrimi i shtëpive rrit rrezikun për rënie të funksionit të mushkërive, po aq sa duhanpirja

Gratë që punojnë në fushën e pastrimit dhe që përdorin vazhdimisht detergjentë spërkatës ose produkte të tjera për pastrimin e ambienteve, janë subjekt i rënies së funksionit të mushkërive, krahasuar me gratë që nuk punojnë në fushën e pastrimit. Ky është rezultati i një studimi të publikuar në American Journal of Respiratory and Critical Care Medicine.

"Ndërkohë që efektet afatshkurtra që kanë mbi astmën substancat kimike të përdorura në produktet e pastrimit, janë gjithnjë e më të dokumentuara, mungojnë njohuritë mbi ndikimin që ato kanë në terma afatgjatë", thotë Cecile Svanes (Universiteti i Bergenit në Norvegji), autorja kryesore e studimit.

Kërkuesit kanë analizuar të dhënat e 6.235 pjesëmarrësve në sondazhin e Komunitetit Europian mbi shëndetin e rrugëve të frymëmarrjes me moshë mesatare 34 vjeç në çastin e nisjes së sondazhit, ku janë ndjekur për plot 20 vjet. Studimi ka zbuluar se, krahasuar me gratë që nuk merren me pastrim, vëllimi respirator maksimal (FEV1) ka rënë më shpejt se 3,6 ml në vit te gratë që pastronin shtëpitë dhe 3,9 ml në vit te gratë që punonin në fushën e pastrimit.

Edhe kapaciteti jetësor i sforcuar (FVC) është pakësuar në masë më të madhe, respektivisht, me 4,3 ml në vit dhe 7,1 ml në vit më shumë. Kjo tendencë uljeje nuk është vënë re te burrat. Autorët kanë zbuluar një rënie të funksionit të mushkërive, sa ajo e shkaktuar nga një duhanpirje e vazhdueshme dhe kanë hedhur hipotezën se një rënie e tillë ndodh për shkak të irritimit të provokuar nga shumë prej këtyre produkteve mbi mukozat që veshin rrugët e ajrit, gjë që, me kalimin e kohës, shkakton ndryshime të qëndrueshme dhe nga rimodifikim të tyre.

Studimi nuk ka zbuluar një zvogëlim më të shpejtë të raportit mes FEV1 e FVC te gratë që merren me pastrim, krahasuar me ato që nuk e bëjnë këtë, por ka vënë re një përhapje më të madhe të astmës te gratë që pastronin shtëpinë (12,3%) ose që e bënin pastrimin për punë (13,7%), krahasuar me ato që nuk pastronin (9,6%). Mes kufizimeve të studimit, qëndron fakti që kërkuesit kanë vënë re, një prani të ulët te gratë që nuk merreshin me pastrim, por edhe te burrat që e bënin këtë.

"Autoritetet që janë të ngarkuar të merren me shëndetin publik, duhet të kontrollojnë rreptësisht produktet për pastrimin dhe t'i inkurajojnë prodhuesit të zhvillojnë agjentë që nuk merren nëpërmjet inhalimit", përfundojnë autorët.

 

AJRCCM 2018. Doi: 10.1164/rccm.201706-1311OC
https://www.atsjournals.org/doi/10.1164/rccm.201706-1311OC


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>