qer122020
Aplikacionet për monitorimin e ciklit menstrual, jo gjithmonë i ndihmojnë adoleshentet
Adoleshentët e sotëm nuk e kanë njohur një botë pa telefonat inteligjentë, siç theksohet në një editorial të botuar në "Pediatrics". Familjariteti i tyre me teknologjinë, në krahasim me atë të gjeneratave të mëparshme, bën që aplikacionet që ndjekin datat e ciklit të tyre menstrual, të jenë veçanërisht tërheqëse.
Kjo është një ndihmë e mundshme për vajzat e reja, por, sipas Leah Fowler (Qendra Juridike e Universitetit të Hjustonit në Teksas) dhe kolegëve, përdorimi i këtyre aplikacioneve mund të përbënte një problem për privatësinë, shpërndarjen e të dhënave dhe edukimin seksual. Shumica e përdoruesve, për shembull, nuk i lexon politikat e privatësisë së aplikacionit dhe kushtet e marrëveshjeve të shërbimit, gjë që rezulton në mungesën e informacionit në lidhje me përdorimin e të dhënave ose në deklaratën e mosmbajtjes së përgjegjësisë mbi saktësinë e parashikimeve të pjellorisë. Në një studim të botuar në shkurt mbi Praktikën e Promovimit të Shëndetit, të njëjtët autorë zbuluan se, për të lexuar politikat mbi privatësinë dhe marrëveshjen mbi kushtet e shërbimit të 15 aplikacioneve të njohura të monitorimit të ciklit menstrual, nevojitet një nivel universitar arsimimi.
Duhet të kemi parasysh gjithashtu se disa nga këto aplikacione lejojnë ndarjen e informacioneve me të tjerët. Kështu, vajzat mund ta monitorojnë ciklin e tyre me miqtë, gjë që mund të çojë në një përvojë pozitive sociale duke krijuar mbështetje reciproke, por edhe aspekte negative. Kështu, në mungesë të ciklit mund të nisin thashetheme dhe ngacmime për një shtatzëni të mundshme. Është zbuluar gjithashtu se ka faqe që u sugjerojnë prindërve të përdorin funksionin e ndarjes së të dhënave, pa dijeninë e vajzave të tyre. Këtë, ndonëse këshillohet se është inkurajuese dhe jo kritike, vajzat e reja mund ta konsiderojnë ndërhyrëse.
Vini re gjithashtu se aplikacionet mund të mos kenë përmbajtje të saktë, aftësi parashikuese ose këshilla, megjithëse ato mund të shihen nga adoleshentët si zëvendësuese të kontrollit të lindjeve dhe përdoren për parashikimin e ditëve pjellore dhe jo-pjellore. Sipas Fowlerit, pediatrët duhet të jenë të vetëdijshëm për ekzistencën e tyre. "Diskutimi mbi këto aplikacione dhe kufizimet e tyre mund të jenë pjesë e një diskutimi më të madh për shëndetin seksual dhe riprodhues", tha ajo.
Pediatrics. 2020 Apr 14. pii: e20192954. doi: 10.1542/peds.2019-2954.
https://doi.org/10.1542/peds.2019-2954
Health Promot Pract. 2020 Feb 9:1524839919899924. doi: 10.1177/1524839919899924.
https://doi.org/10.1177/1524839919899924