tet32015
Clostridium difficile, testi molekular nuk mjafton për diagnozën
Midis të rriturve të shtruar në spital me dyshimin për infeksionin Clostridium difficile (CDI), sipas testeve imunologjike që janë kryer, pothuajse të gjitha komplikacionet dhe vdekjet kanë ndodhur në pacientë me toksinë pozitive. "Mbështetja ekskluzive në testet molekulare pa një provë kundër pranisë së toksinës, mund të çojë në një diagnozë apo trajtim të tepërt që ndikon në rritjen e kostos së kujdesit shëndetësor", pohon Christopher Polage nga Departamenti i patologjisë dhe mjekësisë në laboratorin e "University of California" dhe autor kryesor i një studimi të publikuar në "Jama Internal Medicine". Ai kujton se megjithëse Clostridium difficile është midis shkaqeve kryesore të infeksionit spitalor, nuk është rënë akoma dakord mbi testet diagnostike që do të përdoren. Testet molekulare janë gjithmonë më të përdorurat, por në shumë pacientë pozitivë mungon konfirmimi për prezencën e toksinës e cila përkufizon praninë e sëmundjes, duke mos e pasur të qartë nëse nevojitet apo jo një trajtim. Kështu kërkuesit kanë zhvilluar një studim në grup duke seleksionuar 1412 të rritur të shtruar në spital të testuar për C. difficile dhe me prani të toksinës, 72 orë ose më shumë pas shtrimit në spital. "Rezultatet provojnë se përdorimi ekskluziv i testeve molekulare për diagnozën e infeksionit nga C. difficile nuk janë të mjaftueshme për diagnostikimin me saktësi të sëmundjes", përfundojnë autorët.
Erik Dubberke nga Departamenti i mjekësisë në "Washington University School of Medicine", në një editorial shkruan: "Këto të dhëna konfirmojnë dëshminë. Duke i krahasuar me përgjigjen imunologjike të toksinës, pjesa më e madhe e rezultateve pozitive të diagnostikimit të C.difficile që bazohen në amplifikimin gjenetik janë shprehje të një kolonizimi simptomatik dhe jo të një infeksioni të mirëfilltë që ka nevojë për një trajtim të përshtatshëm. Pavarësisht se cili test përdoret, është më mirë të kujtohemi të kurojmë pacientin dhe jo testin".
Jama Intern Med. Published online September 08, 2015. doi:10.1001/jamainternmed.2015.4114
http://archinte.jamanetëork.com/article.aspx?articleid=2434732
JAMA Intern Med. Published online September 08, 2015. doi:10.1001/jamainternmed.2015.4607
http://archinte.jamanetëork.com/article.aspx?articleid=2434728
Përktheu: Erjola Taga