kor182016
Antibiotikorezistenca: Përse grave iu përshkruhen më shpesh antibiotikët?
Në kontekstin e kurave primare, gratë e moshës 16-54 vjeç marrin një numër më të madh përshkrimesh me antibiotikë, në veçanti cefalosporin dhe makrolide, krahasuar me burrat. Në këtë përfundim ka dalë një grup studiuesish që kanë zhvilluar një metanalizë të koordinuar nga Evelina Tacconelli, infektologe në Spitalin universitar të Tubingas (Gjermani). Është një aspekt i ri që vë në dukje pabarazinë mes meshkujve dhe femrave: por në këtë rast, pabarazia lidhet me përshkrimet e papërshtatshme të antimikrobikëve dhe kjo mund të kontribuojë në zhvillimin e baktereve antibiotikorezistente. Tacconelli dhe kolegët kanë kryer një rishikim të të gjitha studimeve të publikuara nga viti 1976 deri në 2013 dhe kanë analizuar përshkrimin e antibiotikëve në kurat primare.
Rezultatet fillestare ishin të përbëra nga raporti i normës së incidencës (Irr) - i matur si dozë ditore e përkufizuar / 1.000 banorë/ditë; si dhe nga raporti i normës së prevalencës (Prr) - i matur si normë e prevalencës /1.000 banorë në përshkrimin e antimikrobikëve të ndarë sipas gjinisë, moshës dhe klasës së antibiotikëve.
Janë përdorur të dhënat e 11 studimeve prospetike të farmakovigjilencës së farmacive të komunitetit, kompanive të sigurimit dhe sistemeve shëndetësore kombëtare të Italisë, Danimarkës, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës, Izraelit, Gjermanisë, Zelandës së Re, Suedisë dhe Belgjikës
Dhe nga rishikimi doli se gratë kishin një probabilitet prej më shumë se 27% në krahasim me burrat për të marrë një përshkrim antibiotikësh në jetën e tyre. Numri i antibiotikëve që iu ishin përshkruar grave rezultoi me 36% më shumë në krahasim me antibiotikët që iu ishin përshkruar burrave në grupmoshën mes 16 dhe 34 vjeç, dhe 40% më shumë te gratë me moshë 35-54 vjeç.
Në veçanti, numri i cefalosporinave dhe makrolideve të përshkruara për gratë ishte respektivisht 44% dhe me 32% më i madh në krahasim me ato të përshkruara për burrat. Megjithatë autorët dalin në përfundimin se nevojiten studime të mëtejshme për të hetuar shkaqet e fenomenit.
Shpjegime të mundshme mund të nxirren nga statistika që certifikojnë se si gratë i drejtohen më shpesh mjekut kurues, ndoshta duke ndjerë më shumë se meshkujt nevojën për t'u shëruar menjëherë dhe prandaj insistojnë edhe për të marrë një përshkrim. Gjithashtu nga burime të Institutit të Lartë të Shëndetësisë në Gjermani, rezulton se gratë kryejnë më shpesh se burrat gabimin për të trajtuar me antibiotikë një patologji të zakonshme virale si influencë, duke favorizuar edhe më tej fenomenin e rezistencës bakteriale ndaj antibiotikëve.