shk62018
Pneumonia pasoperatore ka më pak gjasa të ndodhë, nëse bëhen ushtrimet e duhura pas ndërhyrjes
Kirurgjia abdominale madhore është e lidhur me një rrezik të shtuar për pneumoni pasoperatore, por duke u mësuar pacientëve disa ushtrime frymëmarrjeje, që duhen bërë menjëherë pas zgjimit nga ndërhyrja, do të arrijmë të përgjysmojmë rastet e komplikacioneve pulmonare. "Këto rezultate janë të aplikueshme nga të gjithë pacientët që do të bëjnë ndërhyrje abdominale madhore në të gjithë botën", shkruan Ianthe Boden, Universiteti i Melburnit, Australi, që ka udhëhequr grupin e punës.
Kërkuesit kanë marrë në studim 441 të rritur në Australi dhe në Zelandën e Re, 6 javë para kirurgjisë së pjesës së sipërme të abdomenit dhe i kanë mësuar ballë për ballë, se si të bëjnë 30 minuta ushtrime frymëmarrjeje (222 vetë), ose u kanë dhënë një broshurë informative mbi komplikacionet pulmonare pasoperatore dhe mbi dobitë e mundshme të ushtrimeve të frymëmarrjes (219 vetë). Pacientët e të dyja grupeve kanë marrë një trajtim standard pasoperator që përfshinte edhe programin e udhëhequr nga një fizioterapist, që ka filluar në ditën e parë pas ndërhyrjes. Në analizën ITT (intent-to-treat), 12% (27 nga 2018) e pacientëve në grupin e ndërhyrjes kanë zhvilluar një komplikacion, përkundër 27% (58 nga 214) në grupin e kontrollit.
Pasi është bërë përshtatja në bazë të komorbiditetit, të dhënave demografike të pacientëve dhe faktorëve kirurgjikë, rreziku i komplikacioneve është pakësuar me 52% me ndërhyrjen. Rezultatet kanë treguar se ndërhyrja ka patur një efekt më të madh te burrat, te personat me moshë më të vogël se 65 vjeç dhe te pacientët që i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike kolorektale, edhe kur formimi bëhej nga një fizioterapist ekspert. Nuk janë vënë re dallime në rezultatet dytësore të studimit, mes të cilave janë kohëzgjatja e shërimit, dalja nga spitali, rishtrimi dhe ngritja në këmbë pas operacionit.
"Zakonisht, në një shërbim pasoperator fizioterapie, formimi nis në ditën e parë ose të dytë pas ndërhyrjes dhe mund të jetë shumë vonë, pasi pjesa më e madhe e komplikacioneve tashmë janë verifikuar. Veç kësaj, dhimbja, të vjellat, anestezia dhe ankthi, mund të komprometojnë aftësitë e një pacienti për të kuptuar udhëzimet, kur kontakti i parë me fizioterapinë është vetëm në fazën pasoperatore", përfundojnë autorët.
Bmj 2018. Doi: 10.1136/bmj.j5916
http://www.bmj.com/content/360/bmj.j5916