nën222024
Ja, kur nuk është e nevojshme ndërprerja e barnave antidiabetike
Në një ndryshim të rëndësishëm në udhëzimet e Shërbimit Shëndetësor të SHBA-së, disa shoqata mjekësore amerikane njoftuan disa ditë më parë se shumica e pacientëve nuk do të kenë nevojë të ndalojnë administrimin e medikamenteve për diabetin dhe për rënien në peshë përpara se t'i nënshtrohen një ndërhyrje kirurgjikale. Ky vendim mbështetet nga një studim i prezantuar javën e kaluar në një konferencë të specialistëve gastrointestinal në Shtetet e Bashkuara.
Studimi sugjeron gjithashtu që pacientët që i nënshtrohen endoskopisë mund të kenë përfitime nga ndjekja e një diete me bazë lëngjesh të pastër një ditë para operacionit, megjithëse ky rekomandim nuk ishte përfshirë në udhëzime. Përgjithësisht pacientët duhet të agjërojnë përpara se t'i nënshtrohen anestezisë për t'a pasur stomakun të zbrazur. Në fakt, stomaku i zbrazur mundëson një ekzaminim endoskopik më të mirë dhe zvogëlon rrezikun e aspirimit, një ndërlikim i rrezikshëm që përfshin thithjen e përmbajtjes gastrike. Për shkak se barnat GLP-1 ngadalësojnë zbrazjen e stomakut, kirurgët kërkojnë që pacientët të ndërpresin marrjen e këtyre medikamenteve shumë përpara marrjes së anestezisë për të siguruar zbrazjen e plotë të stomakut. Megjithatë, një rishikim i ri i 35 studimeve që përfshinë më shumë se 714,000 individë që i nënshtroheshin endoskopisë gastrointestinale të sipërme nuk gjeti asnjë rrezik shtesë të aspirimit te pacientët që nuk e kishin ndërprerë përdorimin e barnave GLP-1. Rezultatet u krahasuan në mënyrë rastësore me ato të pacientëve që nuk po i merrnin këto medikamente ose që i kishin ndërprerë ato shumë përpara operacionit.
Në përmbledhje, u vu re se procedurat duhej të ndërpriteshin më shpesh te pacientët që nuk kishin ndërprerë medikamentet GLP-1, ndoshta për shkak të pranisë së ushqimit të mbetur në stomak. Megjithatë, te pacientët që ndoqën një dietë me bazë lëngjesh të pastër për 24 orë dhe gjithashtu iu nënshtruan një kolonoskopie në të njëjtën ditë, problemi i përmbajtjes gastrike të mbetur nuk u vu re. Për këto arsye, studiuesit sugjerojnë se mund të jetë e këshillueshme që të ndiqet një dietë me bazë lëngjesh të pastër për 24 orë përpara një endoskopie gastrointestinale pa ndërprerë domosdoshmërisht terapinë me barnat GLP-1.