pri292019
Degjenerimi makular. Kalciumi nuk shton rrezikun, por mbrojtjen
Ndjekja e një diete të pasur me kalcium ose marrja e tij si një shtojcë, nuk duket se rrit rrezikun e degjenerimit makular të lidhur me moshën (AMD), sipas një studimi të Institutit Kombëtar të Syrit (NEI), botuar në "JAMA Ophthalmology".
"Rezultatet u janë kundërvënë atyre të një studimi të mëparshëm, i cili kishte sugjeruar se nivelet e larta të kalciumit ishin të lidhura me një prevalencë më të madhe të AMD-së, por ishin në përputhje me një studim tjetër që propozonte një rol mbrojtës të vetë patologjisë. Por edhe nëse rezultatet sugjerojnë se një konsum i lartë i kalciumit mund të jetë mbrojtës, ende nuk dihet nëse ia vlen të ndryshohet marrja e kalciumit për të parandaluar fillimin ose përparimin e AMD-së", thotë Emily Chew, në NEI, autore kryesore e punës.
Hulumtuesit kanë analizuar të dhënat e sondazhit të mëparshëm, Studimi i Sëmundjeve të Syrit, të Lidhura me Moshën (AREDS), i cili kishte vlerësuar një gamë nutrientësh dhe efektet e tyre në fillimin dhe përparimin e AMD-së dhe kataraktit. Duke u ndalur në mënyrë specifike te kalciumi, autorët kanë shqyrtuar në mënyrë retrospektive 4,751 pjesëmarrës të cilët ishin ndjekur për një mesatare prej 10 vjetësh. Përgjigjet u mblodhën në një pyetësor në të cilin pyetej se sa shpesh njerëzit hanin ushqime të pasura me kalcium dhe nëse kishin përdorur shtojca të kalciumit gjatë vitit të kaluar. Me plakjen e pjesëmarrësve, ka dalë një lidhje midis marrjes së kalciumit dhe reduktimit të rrezikut nga AMD-ja.
Në fakt, njerëzit që marrin më shumë kalcium nga burimet dietike ose shtojcat, kishin një rrezik më të ulët të zhvillimit të AMD-së tardive, krahasuar me ata në grupet me konsum më të ulët të kalciumit. Chew vuri në dukje se ky përfitim, i arritur nëpërmjet kalciumit, realisht, mund të jetë pasojë e faktorëve ngatërrues. Për shembull, njerëzit që janë të vetëdijshëm për përfitimet që ka rritja e konsumit të kalciumit, mund të kenë më shumë gjasa të ndjekin një dietë të shëndetshme, të ushtrohen dhe të marrin medikamente që janë të përshkruara, gjë që gjithashtu mund të zvogëlojë rrezikun për AMD.
"Për momentin, ndoshta, qasja më e ndjeshme është të konkludojmë se provat që kemi, sugjerojnë që një konsum më i madh i kalciumit, nuk është i dëmshëm për makulën dhe gjithashtu, mund të ketë disa avantazhe shtesë në parandalimin ose përparimin e AMD-së tardive", shkruan në një editorial shoqërues Mårten Brelén (Universiteti kinez i Hong Kongut).
JAMA Ophthalmol. 2019. doi: 10.1001/jamaophthalmol.2019.0292
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30896764
JAMA Ophthalmol. 2019. doi: 10.1001/jamaophthalmol.2019.0291
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30896774