gus292015
Ekstraktet e tiroides së thatë në trajtimin e hipotiroidizmit: thelbësorë në të shkuarën, sot të pa këshillueshëm
Aktualisht në terapinë e hipodiroidizmit përdorimi i ekstraktit të tiroides së thatë në vend të L-tiroksinës është i pa këshillueshëm. Kjo duke marrë në konsideratë se disa nga efektet anësore mund të shkaktohen nga doza tw larta fiziologjike të T3 dhe përqendrimet e komponentëve mund të variojnë sipas loteve. Në të kaluarën, ekstraktet e tiroides që përftoheshin nga tharja e tiroides së derrit, kanë përcaktuar themelimin e terapisë së hipotiroidizmit, por kjo deri në momentin e zbulimit, sintezës dhe komercializimit të hormoneve të tiroides (T4 dhe T3). Që në vitet '60 komuniteti shkencor për të optimizuar terapinë te pacientët me hipotiroide ka braktisur trajtimin me ekstrakte të tiroides duke favorizuar kështu hormonet e sintezës së saj. Prodhimi i ekstrakteve të tiroides ka vazhduar gjithashtu përgjatë dekadave dhe për këtë arsye American Thyroid Association (ATA) dhe British Thyroid Association (BTA) do të udhëheqin trajtimin e hipotiroidizmit, duke specifikuar se nuk ka asnjë tregues se ekstraktet e tiroides mund të kenë avantazhe krahasuar me L-tiroksinën. Duke u bazuar në këtë deklaratë ja disa konsiderata fiziopatologjike: 1) në tiroiden e derrit raporti midis T4 dhe T3 është më i ulët në krahasim me atë të tiroides njerëzore (4:1 kundrejt 14:1), gjë që çon në marrjen e dozave super fiziologjike të T3; 2) në tiroiden e thatë gjenden dhe substanca të tjera (calcitonina, komponime të tiroides mono dhe di të jonizuara), të cilave nuk u dihet qartë efekti; 3) pavarësisht pasterizimit të produkteve parësore të tiroides së thatë që kontrollohet në SHBA nga Food and Drug Administration, sasi të mëdha janë tërhequr nga tregu për prezencën e një raporti të ndryshueshëm T3/T4 (është publikuar një rast-raport për krizën tireotoksike në një pacient të trajtuar me ekstrakt të tiroides që vinte nga një lot me një përmbajtje të lartë të T3 dhe T4 [1]; 4) "kokrrat" e tiroides së thatë kanë një aromë karakteristike të fortë që në disa raste mund të ndikojë në përputhshmërinë e trajtimit; 5) ekstraktet (si lidhja e T3 dhe T4) mund të ulin nivelet plazmatike të T4, për këtë arsye nuk këshillohet përdorimi gjatë shtatzënisë dhe në periudhën para konceptimit për efekte të mundshme mbi zhvillimin konjitiv të fëmijës [2]; 6) meqenëse tiroidja e thatë përmban T3 dhe T4, është i nevojshëm edhe vlerësimi i studimeve që krahasojnë efikasitetin e raporteve tashmë të njohura midis T3 dhe T4 të sintezës, (krahasuar vetëm me L-tiroksinën); rezultatet dhe në këtë rast nuk tregojnë një përfitim të qartë nga këto raporte. Sipas disa autorëve vetëm pacientët bartës të disa gjenotipeve të deiodinasi të tipit 2 do të na çonin drejt një përgjigjeje për terapinë më efektive, në aspektin e mirëqenies së përgjithshme, nëse trajtohen me raportin e T3 dhe T4 në vend të trajtimin vetëm me L-tiroksinë (mirëpo nuk ka studime për efektet afatgjata) [3]. Për sa i përket çmimit të lartë krahasuar me L-tiroksinën dhe mos disponueshmërinë në Itali të pjesës më të madhe të përbërjeve të thata, po merren në konsideratë arsye të tjera më domethënëse në aspektin praktik. Në 2013 disa autorë kanë realizuar një studim cross-over, realizuar në verbëri të dyfishtë, duke krahasuar trajtimin e hipotiroidizmit me L-tiroksinë me atë me ekstrakte të tiroides [4]: nuk janë shfaqur ndryshime domethënëse mbi përmirësimin e cilësisë së jetës por u shkaktua një reduktim i lehtë i peshës në grupin e trajtuar me ekstraktet e tiroides. Për shkak të numrit të limituar të pacientëve të përfshirë në studim, këto të dhëna duhet të konsiderohen paraprake dhe duhen konfirmuar me studime të mëtejshme më të mëdha.
[1] Thyroid, 2012; 22:1283-6.
[2] Endocr Pract, 2012; 18: 988-1028.
[3] J Clin Endocrinol Metabol, 2009; 94: 1623-9.
[4] J Clin Endocrinol Metabol, 2013; 98:1982-90.
Përktheu: Erjola Taga