Mjekësi e përgjithshme

jan82016

Sindroma e vezores policistike: raporti i Shoqatës Evropiane të Endokrinologjisë (Pjesa IV)

Në vitin 2014 Shoqata Evropiane e Endokrinologjisë publikoi një raport mbi gjendjen aktuale të informacioneve që kishin të bënin me përkufizimin, diagnozën dhe terapitë e mundshme të sindromës së vezores policistike (PCOS), sëmundja endokrine më e shpeshtë te gratë në moshë riprodhuese. Më poshtë mund të lexoni aspektet më të spikatura të raportit, ku jepen disa konsiderata të cilat mund të mos jenë plotësisht në përputhje me eksperiencën klinike të përditshme.

Trajtimi i bazuar në qasjen fenotipike

Trajtimi i PCOS duhet të marrë në konsideratë vetë heterogjenitetin sindromës.

Fenotipi metabolik

Si pacientet me peshë normale edhe ato obeze shfaqin nivele më të mëdha qarkulluese të insulinës në krahasim me gratë e shëndetshme me të njëjtën peshë me to, meqë sugjerojnë qartazi praninë e insulino-rezistencës në nivel hepatik, pavarësisht obezitetit. Duhet shmangur që gra në peshë normale të kthehen në obeze dhe të krijojnë shtresa dhjami në organet e brendshme. Modifikimi i stilit të jetës, si ndjekja e një aktiviteti të rregullt fizik, zbatimi i këshillave dietike dhe lënia e duhanit janë disa nga masat parandaluese. Këto duhet të aplikohen edhe nga gratë obeze, të cilat në të kaluarën i janë drejtuar edhe përdorimit të barnave kundër obezitet por që aktualisht nuk janë të disponueshme.
 Për pacientet me obezitet të gradës së dytë e të tretë është e nevojshme të merret në konsideratë kirurgjia bariatrike. Në këto paciente shfaqja e çrregullimeve metabolike ndodh më herët në krahasim me popullatën e përgjithshme. Pavarësisht kësaj, trajtimi i çrregullimeve metabolike me rrugë farmakologjike nuk është specifike për këtë lloj patologjie. Gjithsesi mund të aplikohen insulino-sensibilizues dhe statina që mund të përmirësojnë edhe disa simptoma të PCOS.
Në fund, nuk ka asnjë provë se prania e komplikimeve metabolike ndikon trajtimet e tjera të PCOS. Kontraceptivët oralë të gjeneratës së tretë, të cilët përmbajnë anti-androgjenë duket se nuk shkkatojnë efekte anësore domethënëse në profilin metabolik të këtij tipi pacientesh.
 
Fenotipi hiperandrogjenik

Mundet që pjesa më e madhe e pacienteve me PCOS t'i drejtohen një ambulatori endokrinologjik për shkak të hirustizmit. Trajtimi i zgjedhjes duhet të vendoset duke vlerësuar moshën e pacientes dhe fenotipin specifik. Për të vendosur terapinë në disa grupe pacientesh me hirustizëm nevojitet një vëmendje më e madhe, të tilla janë: adoleshentet, obezet, gratë që kërkojnë një shtatzëni, gratë në menopauzë dhe ato me ndryshime të tolerancës glucidike. Kur janë në një peshë të madhe, trajtimi i hirustizmit avantazhohet edhe nga një rënie ponderale e saj, e cila ndihmon në reduktimin e vlerave të androgjeneve.
Te gratë që nuk po kërkojnë një shtatzëni, preferohet një trajtim farmakologjik me kontraceptivë oralë, progestinikë dhe anti-androgjenë. Metformina nuk është efikase në trajtimin e hirustizmit. Trajtime shtesë mund të jenë të gjitha procedurat kozmetike, ato mund të jenë  shumë efikase në kontrollin e një hirustizmi të shkallës së lehtë dhe të moderuar. Trajtimet folliculitis përfshijnë elektrolizën, terapinë lazer dhe dritën pulsuese, të cilat bashkë me trajtimin farmakologjik mund të sjellin një përmirësim të qëndrueshëm ndaj hirustizmit.
Në disa raste të hirustizmit të lehtë dhe të moderuar të lokalizuar në fytyrë, një alternativë mund të jetë aplikimi topik i kremit eflornithine, që ngadalëson rritjen e qimeve në gjendjen fillestare.

Fenotipi riprodhues

Ndryshimi i stilit të jetës me një reduktim të peshës mund të çojë në një risprintim të ovulacionit spontan te gratë në mbipeshë dhe ato obeze. Ndërsa te gratë që nuk arrijnë të ovulojnë spontanisht, pavarësisht rënies në peshë, përgjigja ndaj induktimit të ovulacionit është sigurisht e përmirësuar.
Induksioni i ovulacionit mund të arrihet duke shtuar nivelet endogjene të FSH, duke përdorur anti-estrogjenet ose inhibitorët e aromatazës, apo duke administruar FSH ekzogjene me injeksione ditore. 
Antagonisti i receptorit të estrogjeneve, clomiphene citrate, mbetet trajtimi i linjës së parë në induksionin e ovulacionit te gratë me PCOS, me efikasitet në 75-80% të rasteve. Përdoret në një dozë fillestare prej 50-100 mg/die (doza madhore në gratë obeze) për 5 ditë gjatë fazës folikulare të hershme të ciklit menstrual. Gjatë ciklit të parë zbatohet një monitorim ekografik si për të vlerësuar ovulacionin e ndodhur, edhe për efektet e mundshme anësore. Nëse ovulacioni është i detyruar, si konvencion duhet të vazhdohet trajtimi deri në 6-12 muaj. Edhe metformina mund të përmirësojë ovulacionin, si e marrë në monoterapi edhe bashkë me clomifenin. Ajo është përdorur shpesh te gratë me oligo-anovulacion. Lidhur me rritjen e numrit të lindjeve studimet e para sugjeronin se shtimi i metforminës përmirësonte efikasitetin e clomifenit, por të gjitha rezultatet pasuese të marra nga RCT, kanë treguar se nuk ka asnjë përfitim nga metformina vetëm ose në kombinim, krahasuar me përdorimin e vetëm clomiphene.
Trajtimi i pacienteve rezistente ndaj clomiphene është i vështirë, e po ashtu është edhe ai i pacienteve që kanë ovuluar por nuk kanë arritur ngjizjen pas gjashtë muaj terapie. Në shumë qendra, trajtimi i zgjedhjes është FSH me doza të ulëta, me monitorim të kujdesshëm ekografik të përgjigjes ovariane. Të dhënat e një RCT sugjerojnë se diatermia ovarianë laparoskopike mund të jetë efikase po aq sa administrimi i FSH me doza të ulëta në nxitjen e ovulacionit.
Te gratë që nuk duan të mbeten shtatzëna indikohet ripërtëritja e ciklicitetit menstrual. 
Trajtimi i zgjedhjes mund të jetë një CO me doza të ulëta. Një alternativë e arsyeshme mund të jetë marrja e një progestiniku në mënyrë ciklike, veçanërisht te gratë që nuk kanë nevojë për kontraceptiv./D.GJ. 

Bibliografia
Evidence-based Methodology Workshop on Polycystic Ovary Syndrome December 3-5 2012.
Hum Reprod, 2004; 19: 41-7.
J Clin Endocrinol Metab, 2007; 92: 4546-56.
Med J Aust, 2011; 195: s65-112.
J Clin Endocrinol Metab, 2008; 93: 2670-8.
Cochrane Database Syst Rev, 2012: CD001122.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>