mar92016
Në fibromialgji, agopuntura redukton intensitetin e dhimbjes
Nëntë seanca javore agopunture lehtësojnë intensitetin e dhimbjes duke përmirësuar kapacitetin funksional dhe cilësinë e jetës te personat me dhimbje kronike nga fibromialgjia, sipas një studimi të publikuar në "Acupuncture in Medicine" dhe me autor Jorge Vas nga "Doña Mercedes Primary Health Centre" në Spanjë. Nga studimi del në pah se efektet e kurës vijojnë të jenë të dukshme edhe pas një viti.
Fibromialgjia prek 1 person në 20 dhe rreth 90% e atyre që e vuajnë, eksperimentojnë me ndonjë terapi shtesë si masazh, hidroterapi dhe agopunturë. Në përpjekjen për të zbuluar nëse një qasje e personalizuar mund të bëjë ndryshimin, kërkuesit kanë krahasuar agopunturën me një trajtim të simuluar në 153 të rritur të diagnostikuar me fibromialgji sipas kritereve diagnostikuese të vendosura nga Kolegji Amerikan i Reumatologjisë. Të dyja terapitë, ku të gjithë pjesëmarrësit u zgjodhën në mënyrë rastësore, administroheshin në 9 sesione javore, secili nga 20 minuta. Për të vlerësuar impaktin e të dy qasjeve, pjesëmarrësve iu kërkua të përshkruanin nivelet e perceptuara të dhimbjes, depresionit dhe cilësisë së jetës në fillim të trajtimit dhe 10 javë, 6 muaj apo një vit më pas.
Duke analizuar të dhënat e mbledhura, kërkuesit zbuluan se që në javën e dhjetë në grupin e agopunturës intensiteti i perceptuar i dhimbjes kishte rënë me një mesatare prej 41% krahasuar me të dhënat bazë, kundrejt 27% të trajtimit të simuluar. Diferenca që vazhdonin edhe pas një viti me një ulje mesatare prej 20% në grupin e trajtuar kundrejt 6% të placebos. Rezultate të ngjashme janë shfaqur edhe për gjendjen funksionale dhe cilësinë e jetës me diferenca akoma domethënëse edhe pas një viti. "Rezultatet tona sugjerojnë efikasitetin e agopunturës në trajtimin e dhimbjes fibromialgjike", përfundon Vas.
Acupunct Med. 2016. doi: 10.1136/acupmed-2015-010950
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26879181
E.T