tet282016
Inkontinenca te gratë: Botox A redukton episodet por shton riskun për infeksione
Në një studim të publikuar në "Jama", Cindy Amundsen nga Duke University në Durham në Karolinën e Veriut dhe kolegët kanë vlerësuar nëse injeksioni intravezikal i onabotulinum-toxinA (Botox A) është superior në reduktimin e episodeve të pakontrolluara të inkontinencës urinare te gratë krahasuar me nëuromodulimin sakral. "Kjo gjendje shumë e dëmshme për cilësinë e jetës së atyre që vuajnë është pak a shumë e zakonshme dhe shtohet me kalimin e moshës. Vlerësohet së prevalenca e saj është 17% mes grave me moshë mbi 45 vjeç dhe 27% mes atyre mbi 75 vjeç", shpjegon kërkuesja, duke kujtuar se inkontineca urinare e pakontrolluar refraktare ndaj terapisë mund të trajtohet me Botox A apo neuromodulim sakral, i cili konsiston në implantimin e një elektrode të vogël në afërsi të nervit sakral. Duke kontrolluar funksionin e zbrazjes në kolonën vertebrore të poshtme, dispozitivi i implantuar stimulon nervin si një lloj pacemaker fshikëzues.
Megjithatë, duke qenë se mungojnë të dhëna të sigurta mbi atë se cila është kura më efikase, kërkuesit e Duke University kanë vendosur një studim që ka përfshirë 9 qendra mjekësore amerikane dhe një total prej 381 grash me moshë mesatare 63 vjeç. Pjesëmarrëset janë ndarë në mënyrë rastësore në dy grupe: i pari i formuar nga 192 persona ka marrë një injektim me onabotulinum-toxinA në rrugë citoskopike në muskulin detrusor të fshikëzës. Ndërsa tjetri është trajtuar me neuromodulimin sakral. Dhe pas përllogaritjeve, kërkuesit zbuluan se pas 6 muajsh nga fillimi i studimit, pacienteve të cilave iu administrua Botox A, kanë pasur një reduktim statistikisht domethënës të numrit mesatar të episodeve ditore të inkontinencës krahasuar me grupin e neuromodulimit sakral. Ana tjetër e medaljes, megjithatë është fakti që onabotulinum-toxinA ka shtuar riskun për infeksione urinare dhe nevojën për autokateterizim. "Në total, këto rezultate nuk qartësojnë nëse Botox A iu ofron pacienteve një përfitim të qartë domethënës në krahasim me neuromodulimin", përfundon Amundsen.
Jama 2016. doi:10.1001/jama.2016.14617
http://jama.jamanetwork.com/article.aspx?doi=10.1001/jama.2016.14617