jan202017
Antibiotiko-rezistenca dhe infeksionet spitalore: rotacioni dhe miksimi nuk shërbejnë
Përballë një rritje alarmante të rezistencës ndaj antibiotikëve në spitale, as rotacioni as miksimi i tyre nuk duket se funksionon për të luftuar super bakteret multirezistente, sipas një artikulli të publikuar në "Molecular Biology and Evolution" nga matematikani Robert Beardmore, profesor në Universitetin e Exeter (Britania e Madhe). "Rotacioni është një strategji që sugjeron alternimin e dy ose më shumë grupeve antibiotikësh çdo disa muaj, ndërsa miksimi konsiston në përshkrimin e një varieteti më të madh antibiotikësh duke bërë që, për shembull, dy pacientë në të njëjtën dhomë të marrin gjithnjë antibiotikë të ndryshëm", shkruajnë kërkuesit.
"Në bazë të statistikave rezulton se rotacioni dhe miksimi i antibiotikëve nuk janë mënyrat më optimale për të përballuar problemin e multirezistencave, pavarësisht se shumë mjekë janë të bindur për të kundërtën", thotë Beardmore. Studiuesi shpjegon se papërshtatshmëria e dy strategjive nuk ishte evidentuar në studime të mëparshme për shkak të përdorimit të simulimeve të kompjuterizuara, të cilat nuk jepnin një kuadër të plotë të optimizimit të trajtimit antibakterial. "Ndërsa sipas rezultateve tona, zgjidhja për të optimizuar në mënyrën e duhur përdorimin e antibiotikëve mund të jetë ajo e trajtimit të individualizuar, specifik si për patogjenin edhe për pacientin", pohon autori, i cili bashkë me kolegët duke përdorur modele informatike për të studiuar skenarë të ndryshëm të mjekësisë së personalizuar, mbështesin përdorimin e një identifikimi të shpejtë të patogjenit përgjegjës për një infeksion nëpërmjet firmave molekulare dhe hemokulturave.
"Përshkrimi i një trajtimi antibakterial në infeksionet e rënda të pacientëve të shtruar në spital mbetet një nga ndërhyrjet më të fuqishme në fushën mjekësore dhe përdorimi inteligjent i antibiotikëve është esencial si për të arritur rezultate të kënaqshme në një kohë të shkurtër ashtu edhe për të garantuar përfitime afatgjata", përfundon Beardmore.
Mol Biol Evol. 2017 Jan 17. pii: msw292. doi: 10.1093/molbev/msw292 https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28096304