shk82018
By-passi gastrik dhe efektet e tij te rënia në peshë, DMT2, hipertensioni dhe dislipidemia
"Deri më sot janë realizuar shumë pak studime të kontrolluara mbi efektin afatgjatë të kirurgjisë bariatrike, ndërkohë që kemi shumë nevojë ta dimë këtë". Kështu thonë Giovanni De Pergola dhe Roberta Zupo, Universiteti "Aldo Moro", Bari.
Së fundi, është publikuar një studim vëzhgues 12 vjeçar në lidhje me efektet e by-passit gastrik mbi peshën trupore, mbi patologjitë metabolike (diabeti melit tipi 2 (DMT2) dhe dislipidemia) dhe mbi hipertensionin. Në këtë vëzhgim, janë ekzaminuar 1156 pacientë 18-72 vjeç të prekur nga obeziteti i rëndë, që nuk i ishin nënshtruar asnjëherë kirurgjisë bariartrike, pa anamneza abuzimi me alkolin apo narkotikët, ulçera gastrike apo duodenale, infarkt miokardi në gjashtë muajt paraardhës dhe pa kancer, gjatë 5 viteve të fundit. Pjesëmarrësit në studim janë ndarë në tre grupe:
1. Grupi kirurgjik: 418 pacientë që i janë nënshtruar by-passit gastrik sipas teknikës Roux-en-Y (Smith SC, et al. Obes Surg, 2004; 14: 73-6);
2. Grupi jokirurgjik: 417 pacientë që nuk i janë nënshtruar kirurgjisë, sepse sigurimet nuk kanë mbuluar koston e ndërhyrjes;
3. Grupi jokirurgjik: 321 pacientë që nuk kanë kërkuar kirurgji, as në momentin e rekrutimit për studim dhe as në 12 vitet që e kanë pasuar.
"Subjektet e të dyja grupeve që nuk i janë nënshtruar ndërhyrjes, nuk kanë ndjekur asnjë program për humbjen në peshë, ndonëse kjo nuk përjashton faktin që ata kanë ndjekur programe të tjera dietike apo për ndryshimin e stilit të jetës", bëjnë të ditur specialistët. Vlerësimet klinike janë bërë në këto periudha kohore: 0, 2, 6 dhe 12 vjet, me qëllimin kryesor që të ekzaminohet nëse ka prani të DMT2-shit, hipertensionit dhe dislipidemisë. Pas 12 vjetësh vëzhgimi, janë ekzaminuar më shumë se 90% e subjekteve pjesëmarrëse në studim dhe është arritur në këto përfundime:
Sa i përket humbjes së peshës, "në grupin e pacientëve të operuar, humbja mesatare e peshës ka qenë 45.0 kg pas 2 vjetësh, 36.3 kg pas 6 vjetësh dhe 35.0 kg, 12 vjet pas ndërhyrjes", thonë De Pergola e Zupo. Në të njëjtin grup, humbja mesatare e peshës ka mbetur e qëndrueshme ndërmjet 6 (-28%) dhe 12 vjetësh (-26.9%). Pas 12 vjetësh, 93% e subjekteve (360 nga 387) kanë ruajtur të paktën 10% të rënies në peshë; 70%, kanë ruajtur të paktën 20% dhe 40% e tyre, ka ruajtur të paktën 30% të humbjes në peshë. Vetëm 4 nga 387 pacientë (1%) kanë rifituar të gjithë peshën e humbur.
Te subjektet e paoperuara, pas 12 vjetësh ndjekjeje, humbja në peshë ka qenë prej 2.9 kilogramë në grupin jokirurgjik 1 dhe 0 kg, në grupin jokirurgjik 2.
Duke kaluar te diabeti dhe duke marrë në studim vetëm 88 pacientë në grupin kirurgjik të prekur nga DMT2, në momentin e rekrutimit, rezultatet kanë qenë këto:
Sëmundja ka arritur remisionin te 66 individë (75%) brenda 2 vjetësh, te 54 (62%) brenda 6 vjetësh dhe te 43 (51%), brenda 12 vjetësh. Terapia antidiabetike që ka qenë në veprim në momentin e ndërhyrjes, ka treguar një aftësi të fortë parashikuese të remisionit të DMT2-shit, pasi: Në 12 vjet ndjekje, sëmundja ishte në shuarje te 73 % e subjekteve që nuk merrnin barna në fillim të studimit, te 56% që merrnin barna në rrugë orale dhe te 16% e pacientëve që përdornin insulinë.
"Kjo e dhënë sugjeron që, nëse një ndër objektivat e ndërhyrjes është shuarja e DMT2-shit, kjo ka pak mundësi të ndodhë te pacientët që janë tashmë nën trajtim me insulinë, ndërkohë që është fort e këshillueshme për pacientët te të cilët sëmundja është rregulluar nëpërmjet modifikimeve të stilit të jetës", vënë në dukje De Pergola dhe Zupo.
Duke ekzaminuar vetëm pacientët që i janë nënshtruar ndërhyrjes dhe që kanë paraqitur DMT2 qoftë në fillim, qoftë në fund të studimit, rezulton një përmirësim i dukshëm i kontrollimit të sëmundjes, me një reduktim mesatar (± DS) të numrit të barnave antidiabetike (−0.3 ± 1.4); përkundrazi, në subjektet e paoperuara të grupit 1, është vënë re një rritje e numrit mesatar të barnave antidiabetike (0.8 ± 1.4, P = 0.002).
Mbizotërimi i DMT2-shit në fund të studimit ka qenë 3% te subjektet e operuara, 26% te subjektet e paoperuara të grupit 1 dhe 26%, te subjektet e paoperuara të grupit 2.
Sa i përket hipertensionit dhe dislipidemisë, grupi kirurgjik ka paraqitur një përqindje më të lartë të rasteve të remisionit të sëmundjes dhe një përqindje më të ulët të rasteve të saj, në krahasim me grupin kirurgjik 1 (N < 0.05 për të gjitha krahasimet statistikore).
"Ky studim mbi pacientët që i janë nënshtruar by-passit gastrik, sipas teknikës Roux-en-Y, ka treguar një qëndrueshmëri afatgjatë, sa i përket:
1. Humbjes në peshë.
2. Remisionit dhe parandalimit të patologjive të rëndësishme kronike, si DMT1, hipertensioni dhe dislipidemia", komentojnë De Pergola e Zupo. "Duke marrë parasysh përhapjen e obezitetit të rëndë në popullsinë në përgjithësi, rezultatet e këtij studimi dhe të studimeve të ngjashme (SOS Study etj.) tregojnë nevojën e shtimit të ndërhyrjeve kirurgjike për pacientët me obezitet morbigjen dhe nevojën e shtimit të njohurive mbi këtë argument, në radhët e mjekëve", përfundojnë ata.
N Engl J Med, 2017; 377: 1143-55.