kor132020
Kanceri kolorektal. Barnat për hipertensionin reduktojnë rrezikun
Inhibitorët e enzimës konvertuese të angiotenzinës (ACE) dhe bllokuesit e receptorëve të angiotenzinës II (ARB), dy lloje barnash të përshkruara zakonisht për tensionin e lartë të gjakut, insuficiencën kardiake ose sëmundjet e zemrës, mund të ulin rrezikun për kancer kolorektal. Këtë e sugjeron një studim retrospektiv i botuar në "Hypertension".
"Rezultatet tona ofrojnë një pasqyrë të re mbi rolin e mundshëm të këtyre barnave në parandalimin e kancerit kolorektal", tha autori kryesor, Wai K. Leung, nga Universiteti i Hong Kongut (Kinë), duke shpjeguar se rezultatet e studimeve të mëparshme janë ndonjëherë të diskutueshme ose kontradiktore dhe të kufizuara nga disa faktorë, mes të cilëve, edhe një ndjekje e shkurtër.
"Ky është studimi i parë që tregon efektet e mundshme të dobishme të frenuesve ACE dhe të ARB-ve në zhvillimin e kancerit kolorektal, bazuar në një grup të madh pacientësh, që nuk kishin kancer në fillim të studimit", komentoi ai. Në veçanti, analizat e kryera nga studiuesit përfshinë mbi 187,000 të rritur (16.4% po merrnin inhibitorë ACE dhe bllokues ARB) të cilët në periudhën 2005-2013 iu nënshtruan një kolonoskopie, e cila rezultoi negative për kancerin kolorektal.
Pjesëmarrësit që morën këto barna gjatë tre vjetëve pas kolonoskopisë, kishin një rrezik 22% më të ulët për zhvillim të kancerit kolorektal, kanceri i tretë më i zakonshëm dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes prej kancerit në të gjithë botën. Ky efekt i dobishëm i frenuesve ACE dhe i ARB-ve, i vërejtur te pacientët e moshës 55 vjeç e sipër dhe tek ata me një histori të polipeve të zorrës së trashë, megjithatë nuk u gjet në vitet pasuese. Duke qenë një studim retrospektiv, rezultatet do të duhet të verifikohen në një studim të kontrolluar, perspektiv e me përzgjedhje rastësore.
Hypertension 2020. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.15317
https://doi.org/10.1161/HYPERTENSIONAHA.120.15317