tet92020
Kanceri kolorektal, ushqimet, barnat, suplementet... Çfarë e pakëson dhe çfarë e shton rrezikun?
Acidi folik, magnezi dhe produktet e qumështit ndihmojnë në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për hudhrën, qepën, peshkun, çajin ose kafenë. Kjo është bërë e ditur në një shqyrtim të literaturës dhe metaanalizë të botuar në "Gut", në të cilën janë analizuar studimet klinike dhe ato vëzhguese të kryera në periudhën 1980-2019 mbi ndikimin e faktorëve dietikë, vitaminave, suplementeve dhe barnave në rrezikun nga kanceri kolorektal, një tumor i cili, siç është vërejtur nga autorët, kërkon më shumë se 15 vjet për t'u zhvilluar, duke ofruar kështu një mundësi për zbulimin dhe parandalimin.
Rezultatet e marra tregojnë se aspirina zvogëlon rrezikun nga 14 deri në 29% në një dozë prej 75 mg/ditë me efekt dozë-përgjigje deri në 325 mg/ditë dhe se barnat antiinflamatore jo-steroide shoqërohen me një ulje të incidencës 26 dhe 43%. Marrja e të paktën 255 mg/ditë magnez, krahasuar me marrje më të ulët, shoqërohet me një rrezik 23% më të ulët, ndërsa marrja e lartë e acidit folik, për të cilin nuk është përcaktuar vlera e pragut, shoqërohet me 12-15% rrezik më të ulët. Edhe konsumi i produkteve të qumështit, megjithëse nuk është përcaktuar sasia e nevojshme, shoqërohet me një rrezik më të ulët (13-19%), sesa ai i fibrave (22-43%). Ndërsa konsumi i frutave dhe perimeve ul rrezikun deri në 52% dhe përfitimi rritet për çdo 100 g shtesë në ditë, konsumi i sojës shoqërohet me një ulje modeste (8-15%). Në vend të kësaj, nuk u gjet asnjë provë në lidhje me vitaminën E, C, multivitaminën, beta karotenin dhe selenin.
Provat ishin jokonsistente në rastin e vitaminave A e B dhe të dhënat ishin të dobëta ose të paqarta me produkte të tjera, të tilla si çaji, hudhra, qepa, vitamina D (vetëm ose në kombinim me kalcium), kafeja dhe kafeina, peshku dhe omega 3. Efekti mbrojtës i statinave, që ka dalë nga studimet vëzhguese nuk u konfirmua në metaanalizën e studimeve klinike, ashtu siç u gjet me një marrje të lartë të kalciumit, rast në të cilin, metaanaliza e studimeve klinike sugjeroi madje një shtim të rrezikut.
Nga ana tjetër, duket e sigurt që rreziku rritet, në përqindje të ndryshme, me konsumin e mishit, veçanërisht nëse është i kuq apo i përpunuar dhe alkoolit, duke u shtuar me konsum më të madh dhe i dukshëm edhe me 1-2 pije në ditë. Për autorët, ndonëse deklarojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes dhe se nuk ka qenë e mundur të përcaktohet dozimi dhe kohëzgjatja optimale e ekspozimit për ndonjë produkt, rezultatet mund të udhëheqin studimet e ardhshme dhe të ndihmojnë mjekët t'i këshillojnë pacientët për dietën që duhet të ndjekin.
Gut. 2020. Doi: 10.1136/gutjnl-2020-320990
https://doi.org/10.1136/gutjnl-2020-320990