maj192022
Kanceri gastroezofageal. Imunoterapia sjell avantazhe edhe tek ata që nuk kanë metastaza
Sipas një studimi të publikuar në Clinical Cancer Research, imunoterapia duket se rrit gjasat e çrrënjosjes së plotë të kancerit primar gastroezofageal dhe metastazave në nyjat limfatike regjionale te pacientët, tumoret e ezofagut dhe stomakut të të cilëve shprehin nivele të larta të proteinës PD-L1.
Imunoterapia po sjell ndryshime të mëdha në trajtimin e pacientëve me kancer metastatik të stomakut dhe të ezofagut në stadin IV. Te pacientët me këto sëmundje malinje, imunoterapia ka treguar se zgjat mbijetesën kur tumoret tregojnë shprehje të lartë të proteinës PD-L1, por ende nuk ka qenë e mundur të vlerësohet qartë nëse imunoterapia mund të sjellë avantazhe edhe te pacientët me sëmundje jo metastatike.
"Standardi aktual i kujdesit për pacientët me kancer gastroezofageal jo metastatik përfshin kimioterapinë para operacionit plus radioterapi dhe rezeksionin pasues kirurgjik të kancerit primar dhe nyjave limfatike përreth. Duhet të kihet parasysh se shkalla e përsëritjes së kancerit te këta pacientë është e lartë dhe se, nëse kanceri kthehet, ai zakonisht nuk është i shërueshëm", tha Harry Yoon, nga Mayo Clinic Cancer Center, autori kryesor i studimit. Studiuesit hetuan nëse shtimi i imunoterapikut pembrolizumab në kemoradioterapi dhe kirurgji standarde për pacientët me adenokarcinomë të junksionit gastroezofageal mund të shtonte numrin e pacientëve që kanë çrrënjosje të plotë të tumorit në vendndodhjen origjinale dhe në nyjat limfatike aty pranë dhe vunë re se shtimi i imunoterapisë dukej se rriste mundësinë e çrrënjosjes së plotë të tumorit primar dhe të metastazave limfoidale regjionale, te pacientët me nivele të ngritura të PD-L1.
"Pacientët që përjetojnë këtë çrrënjosje të plotë duket se kanë mundësi më të mira për kurim. Nëse këto gjetje mund të konfirmohen në një studim klinik të veçuar dhe më të gjerë, kombinimi i imunoterapisë me kimioterapinë dhe kirurgjinë mund të bëhet standardi i ri i kujdesit për pacientët me kancer gastroezofageal jo metastatik", shpjegojnë autorët.
Clinical Cancer Research 2022. Doi: 10.1158/1078-0432.CCR-22-0413
https://doi.org/10.1158/1078-0432.CCR-22-0413