Pediatri

mar262018

Fëmijët që i mbijetojnë kancerit, rrezikohen nga psikozat në moshë të rritur

Tek ata që i mbijetojnë kancerit në moshë pediatrike shtohen mundësitë për të zhvilluar shqetësime në shëndetin mendor, edhe të rënda, sipas një studimi të publikuar në "Cancer" dhe të firmosur nga Paul Nathan (Spitali i Fëmijëve Toronto) dhe kolegët e tij.

"Në dhjetëvjeçarët e fundit ka patur një ndërgjegjësim në rritje për praninë e shqetësimeve afatgjata të referuara në moshë të rritur nga persona që iu kishin mbijetuar tumoreve në fëmijëri apo adoleshencë", shkruajnë kërkuesit. Ata kanë nënvizuar se në këtë nëngrup pacientësh është vënë re shfaqja e sëmundjeve mendore, në shumë raste shumë ligështuese, po ashtu si edhe efektet e terapisë në organizëm. Për t'u thelluar në këtë argument, autorët kanë përdorur të dhënat e regjistrave dhe të bazës së të dhënave shëndetësore dhe administrative në provincën kanadeze të Ontarios, me qëllimin e përllogaritjes së sasisë së vizitave nga psikologët e psikiatrët dhe rrezikun e vetëvrasjeve dhe të shtrimeve në spital për shkak të turbullimeve të mëdha mendore.

"Në studim kanë marrë pjesë 4,117 të mbijetuar nga një tumor në fëmijëri ose adoleshencë, të dhënat e të cilëve janë krahasuar me ato të më shumë se 20.000 kontrolleve", shpjegojnë autorët. Nga rezultatet del se në harkun e një ndjekjeje mesatare prej 7.5 vjetësh, të mbijetuarit kishin jo vetëm 34% mundësi më shumë krahasuar me kontrollet, për të patur vizita për ndihmë psikologjike, por edhe një rrezik të shtuar prej 13% për t'u shtruar në urgjencë ose në një pavijon spitalor për shqetësime të mëdha të shëndetit mendor.

"Të dhënat tona tregojnë se të mbijetuarit kanë 78% më shumë mundësi për të zhvilluar shqetësime psikike krahasuar me grupin e kontrollit", thotë kërkuesi duke shtuar se subjektet, te të cilët diagnoza e kancerit është vendosur në moshën 0-4 vjeç, kishin më shumë shanse për të zhvilluar sëmundje mendore, krahasuar me ata te të cilët tumori është shfaqur në fëmijërinë e mëvonshme ose në adoleshencë. "Mesazhi për onkologët pediatër që trajtojnë pacientët e prekur nga tumori në moshë të re dhe për mjekët e familjes, internistët dhe specialistët e tjerë që i ndjekin në moshë të rritur është se duhet të ndërgjegjësohemi për këto rreziqe dhe të rrimë në gatishmëri, nëse është e nevojshme, për t'u ofruar pacientëve dhe familjarëve të tyre një mbështetje të fuqishme psikologjike", përfundon Nathani.

 

Cancer. 2018 Feb 22. doi: 10.1002/cncr.31279
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29468664


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>