nën142016
Vdekja kardiake e papritur jashtë-spitalore: defibrilatorët automatikë nuk mjaftojnë
Trajnimi bazë për dhënien e ndihmës së parë, rezulton të jetë më i rëndësishëm se numri i defibrilatorëve automatikë të jashtëm (AED) të shpërndarë në territor, për të reduktuar vdekjet kardiake të papritura jashtë-spitalore. Në këtë përfundim ka dalë një studim francez i prezantuar në Romë në Kongresin Vjetor të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë. "Komponenti edukues dhe formues është themeli i çdo programi në përmirësimin e përdorimit të defibrilatorëve nga publiku, bashkë me disponueshmërinë e pajisjeve", pohon kërkuesja Nicole Karan nga Sudden Death Expertise Center, në Paris.
"Rezulton se shtimi i numrit të defibrilatorëve automatikë të jashtëm në territor pa udhëzuar personat për dhënien e ndihmës së parë nuk përmirëson mbijetesën nga arresti kardiak i papritur, prandaj nevojitet të implementohen dy strategji: aksesi më i thjeshtë ndaj defibrilatorëve automatikë të vendosur në zonat e hapura dhe trajnimi bazë i publikut", shkruajnë kërkuesit.
Për të studiuar impaktin e këtyre programeve, autorët kanë matur numrin e defibrilatorëve automatikë të jashtëm, numrin e personave që kishin marrë ndihmën e parë dhe numrin e arresteve kardiake të papritura të lidhura me aktivitetin sportiv në 51 distrikte franceze, në harkun e një 5-vjeçari.
Dhe ja rezultatet: numri i individëve të trajnuar për të dhënë ndihmën e parë varionte sipas distriktit, nga 6.955 në 36.636 për 100.000 banorë, ndërsa numri i defibrilatorëve automatikë të jashtëm luhatej nga 5 në 3.399 dispozitivë për 100.000 banorë në 1.000 km2. Por e dhëna interesante është se mbijetesa pas një arresti kardiak ishte më e ulët në distriktet me nivele të ulëta të trajnimit të ndihmës së parë ose me disponueshmëri të vogël defibrilatorësh automatikë të jashtëm.
Në lagjet me shkallë të ulët informimi të dhënies së ndihmës së parë, mbijetesa nga një arrest kardiak ishte respektivisht me 4.7% dhe 5.9% në rastet e disponueshmërisë së vogël apo të madhe të defibrilatorëve automatikë të jashtëm. "Në të njëjtën mënyrë, në distriktet me normë të lartë trajnimi të dhënies së ndihmës së parë, mbijetesa ishte respektivisht me 16.8% dhe 22.5% sipas një disponueshmërie më të madhe apo të vogël defibrilatorësh në territor", përfundon Karam.
European Society of Cardiology
https://www.escardio.org