nën112024
Obeziteti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Udhëzimet e reja të ESC-së
Shoqata Evropiane e Kardiologjisë (ESC) ka publikuar së fundi një konsensus klinik mbi lidhjen midis obezitetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare (CVD), duke theksuar lidhjen që ekziston ndërmjet tyre dhe duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të obezitetit për të zvogëluar rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Obeziteti zhvillohet si pasojë e marrjes së kalorive që tejkalojnë shpenzimin e energjisë dhe ndikohet gjithashtu edhe nga faktorë gjenetikë, neurobiologjikë dhe mjedisorë. Mekanizmat themelorë përfshijnë kontrollin cerebral të urisë dhe ngopjes. Metrikë të tillë si perimetri i belit, raporti i belit ndaj gjatësisë dhe raporti i belit ndaj ijeve mund të ndihmojnë në klasifikimin më të mirë të rrezikut kardiometabolik sesa vetëm indeksi i masës trupore (IMT).
Gjatë katër dekadave të fundit obeziteti ka pësuar një rritje dramatike, duke prekur më shumë se një miliard njerëz dhe duke u bërë një ndër faktorët kryesorë për zhvillimin e disa sëmundjeve kronike si ato kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekshmërisë së lidhur me obezitetin. Pavarësisht korrelacionit të ngushtë me CVD-të, obeziteti vazhdon të jetë i nënvlerësuar dhe i nëntrajtuar. Obeziteti është një problem i zakonshëm në mesin e njerëzve me CVD dhe ndikon në rrjedhën dhe prognozën e sëmundjes dhe ndër rekomandimet kryesore për pacientët me këto patologji është rënia në peshë.
Përveç sëmundjeve kardiovaskulare, obeziteti rrit edhe rrezikun për sëmundje të tjera si: diabeti, dislipidemia dhe apnea obstruktive e gjumit, si dhe probabilitetin për zhvillimin e aterosklerozës, sëmundjeve koronare të zemrës dhe sëmundjeve cerebrovaskulare. Për më tepër, një IMT e lartë mund të shkaktojë insuficiencë kardiake, fibrilacion atrial dhe vdekje të papritur kardiake. Probleme të tjera të lidhura me obezitetin përfshijnë trombozën e venave të thella (DVT), embolinë pulmonare dhe stenozën e valvulës aortale.
Udhëzimet e reja të ESC-së për menaxhimin e obezitetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare
Kardiologët duhet të promovojnë kontrollin e obezitetit dhe të inkurajojnë pacientët të humbin peshë për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Përpjekjet shëndetësore duhet t'i japin përparësi parandalimit primar dhe menaxhimit të obezitetit për të reduktuar rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe komplikimet e lidhura me to.
Prandaj, në konsensusin e ri, ESC-ja rekomandon rënien në peshë dhe ushtrimet fizike si faktorët kryesorë për përmirësimin e kontrollit metabolik dhe për të reduktimin e rrezikut për CVD te pacientët me diabet mbipeshë ose obezë.
Për sa i përket parametrave, rekomandohet mbajtja e një IMT-je konstante midis 20 dhe 25 kg/m² dhe perimetëri i belit më pak se 94 cm për burrat dhe 80 cm për gratë. Pacientët obezë ose prediabetikë duhet të marrin barna antihipertensive nëse presioni i gjakut është i barabartë ose më i madh se 140/90 mm Hg, ose 130-139/80-89 mm Hg nëse ata janë të ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut ose stili i tyre i jetesës nuk është i mjaftueshëm për të ulur raportin peshë/gjatësi.
Analiza e apolipoproteinës B indikohet për vlerësimin e rrezikut te subjektet obezë, si një alternativë ndaj kolesterolit LDL-C për diagnostikimin dhe trajtimin e dislipidemisë. Për më tepër, pacientët obezë këshillohen t'i nënshtrohen edhe kontrolleve të rregullta të gjumit.
Në lidhje me aktivitetin fizik, ESC-ja sugjeron të paktën 150-300 minuta aktivitet fizik të moderuar ose 75-150 minuta aktivitet të fuqishëm në javë për të reduktuar vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë, me stërvitjen e forcës të shtuar dy deri në tre herë në javë. Për të humbur peshë, për pacientët me diabet të tipit 2 mbipeshë ose obezë, rekomandohen administrimi i barnave barna hipoglikemike si GLP-1RA, të cilat kanë efekte të vërtetuara kardiovaskulare.
Lidhur me barnat, ekspertët theksojnë se orlistati dhe bupropion/naltrexone duhet të përdoren me kujdes, veçanërisht te pacientët me CVD të njohura, duke pasur parasysh efektet e tyre modeste në peshën trupore. Në anën tjetër, ata raportojnë se agonistët e peptidit-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1) janë efektivë për humbjen e peshës dhe përmirësimin e faktorëve të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare.