Mjekësi e përgjithshme

maj162024

Obeziteti. Rënie në peshë dhe rrezik kardiovaskular i reduktuar me semaglutidin

Bari semaglutid mund të shkaktojë humbje peshe të konsiderueshme te të rriturit mbipeshë, apo obezë, të cilët nuk vuajnë nga diabeti, duke reduktuar patologjitë kardiovaskulare, pavarësisht nga humbja e peshës. Këto të dhëna rezultuan nga dy studime  të prezantuara në Kongresin Evropian për Obezitetin në Venecia, të cilat janë bazuar në kërkimin më të gjerë rreth këtij bari, "Select" (Semaglutidi dhe rezultatet kardiovaskulare), i cili nisi në vitin 2018 dhe përfshiu të dhënat e 17.604 vetëve nga 41 shtete. Studimi i parë i publikuar në Nature Medicine, analizon efektet afatgjata të semaglutidit në peshë, ndërsa i dyti analizon përfitimet kardiovaskulare, duke vlerësuar edhe lidhjen që ekziston ndërmjet tij dhe sasisë së humbjes në peshë. Semaglutidi është një bar GLP-1, i cili përshkruhet për të rriturit me diabet të tipit 2, por edhe për humbjen në peshë për personat obezë, apo mbipeshë, të cilët vuajnë të paktën nga një problem shëndetësor.

Në vitin 2023, studimi Select (mbi të cilin bazohen të dhënat e reja) evidentoi se të rriturit mbipeshë apo obezë, por jo diabetikë, të cilët kishin marrë semaglutid për më shumë se 3 vjet, shfaqnin 20% më pak rrezik për të pësuar infarkt, iktus apo vdekje për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe kishin humbur mesatarisht 9.4% të peshës së tyre trupore. Rezultatet e analizave të reja kanë treguar se trajtimi me semaglutid u ka sjellë përfitime kardiovaskulare, pavarësisht peshës fillestare dhe sasisë së peshës së humbur. Kjo sugjeron se edhe pacientët me nivele relativisht të lehta të obezitetit, apo ata që kanë humbur një sasi të vogël peshe, mund të kenë shfaqur përmirësim të rezultateve kardiovaskulare.

Këto rezultate kanë rëndësi të madhe klinike. Nivelet e peshës te pothuajse gjysma e pacientëve të ekzaminuar për probleme kardiovaskulare janë të njëjta me ato të studimit "Select" dhe me shumë mundësi këta pacientë do të kenë përfitime nga marrja e semaglutidit së bashku me trajtimet e rekomanduara nga udhëzimet.

Këto rezultate tregojnë se sasia e ndikimit të trajtimit me semaglutid, nuk varet nga sasia e peshës së humbur, duke sugjeruar kështu se bari ka veprime të tjera që reduktojnë rrezikun kardiovaskular. Këto mekanizma mund të përfshijnë ndikimin pozitiv në glicemi, në presionin e gjakut, apo në inflamacion, si dhe efektet e drejtpërdrejta në muskulin kardiak dhe në enët e gjakut, apo një kombinim të një ose më shumë prej këtyre. Pavarësisht rezultateve premtuese, autorët paralajmërojnë se "Select" nuk është një studim parandalimi parësor, pra të dhënat nuk mund t'u referohen të gjithë të rriturve mbipeshë dhe obezë për parandalimin e efekteve anësore kardiovaskulare.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>