Diabetologji

gus12023

Deri në vitin 2050 prevalenca e diabetit pritet të dyfishohet. Studimi në "Lancet"

Sipas një studimi të botuar në "The Lancet", në 30 vitet e ardhshme numri i diabetikëve në mbarë botën pritet të arrijë deri në 1.3 miliardë, një shifër e barabartë me dyfishin e burrave, grave dhe fëmijëve të të gjitha moshave të prekur aktualisht në mbarë botën.

"Një normë kaq e shpejtë rritjeje nuk është vetëm alarmante, por edhe sfiduese për të gjitha sistemet shëndetësore në mbarë botën, duke pasur parasysh se kjo sëmundje rrit ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e sëmundjes ishemike të zemrës dhe iktusit", thotë bashkautorja Liane Ong nga Universiteti i Uashingtonit. Sipas studiueses, diabeti i tipit 2 (T2D) nuk lidhet vetëm me obezitetin, mënyrën sedentare të jetesës dhe ndjekjen e një diete jo të shëndetshme, por edhe faktorët gjenetikë, logjistikë, socialë dhe financiarë luajnë një rol në parandalimin dhe kontrollin e kësaj sëmundje, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Nëpërmjet të dhënave të studimit Global Burden of Disease (GBD) 2021, studiuesit analizuan prevalencën, sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë të shkaktuar nga diabeti në 204 vende dhe territore sipas moshës dhe gjinisë për periudhën 1990-2021, duke vlerësuar prevalencën e kësaj sëmundje deri në vitin 2050 të ndarë sipas llojit të diabetit: tipit 1 (T1D) dhe tipit 2 (T2D). Studiuesit analizuan edhe barrën e T2D sipas 16 faktorëve të rrezikut.

"Rezultatet tona treguan se 6.1% e popullsisë së botës vuan nga diabeti, i cili është 1 nga 10 shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe paaftësisë në mbarë botën. Kjo sëmundje ka prekur rreth 9,3% të njerëzve në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, përqindje e cila deri në vitin 2050 pritet të arrijë në 16,8%, kundrejt 11,3% në Amerikën Latine dhe Karaibe", shkruajnë autorët, duke kujtuar se në mbarë botën diabeti ka prekur rreth se 1 në 5 njerëz mbi 65 vjeç dhe pothuajse 1 në 4 njerëz 75-79 vjeç. Në këtë grupmoshë, Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme kanë shkallën më të lartë të incidencës 39,4%, ndërsa Europa dhe Azia Qendrore së bashku me Europën Lindore kanë normën më të ulët (19,8%). Mbipesha mbetet faktori kryesor i rrezikut për T2D, e ndjekur nga dieta, pirja e duhanit, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i alkoolit.

 

Lancet 2023. Doi: 10.1016/S0140-6736(23)01301-6
https://doi.org/10.1016/S0140-6736(23)01301-6


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>