Kardiologji

pri142023

Humbja e kilogramëve të tepërt i bën mirë zemrës

Sipas një rishikimi sistematik të botuar në "Circulation: Cardiovascular Quality and Outcomes", rënia në peshë, modifikimi i stilit të jetesës dhe ndjekja e një programi intensiv për rënien në peshë mund të reduktojnë për të paktën pesë vjet faktorët e rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetin e tipit 2.

"Shumë mjekë dhe pacientë besojnë se rënia në peshë shpesh pasohet nga shtimi i kilogramëve të humbur dhe kanë frikë se kjo mund t'i bëjë të kota përpjekjet që ata kanë bërë për të humbur peshë", thotë bashkautorja Susan Jebb nga Universiteti i Oksfordit, duke shtuar se ky koncept është bërë një pengesë për ofrimin e mbështetjes për rënien në peshë, e cila te njerëzit me probleme me mbipeshën ose obezitetin është një mënyrë efektive e cila redukton rrezikun për diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare. Kështu, studiuesit vlerësuan studimet shkencore ndërkombëtare të disponueshme deri në vitin 2018 për të krahasuar faktorët e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin e tipit 2 midis njerëzve që iu nënshtruan programeve intensive të rënies në peshë duke i krahasuar me ata që ndoqën programe më pak intensive dhe ata që nuk ndoqën asnjë program.

"Studimet e rishikuara përfshinin ndërhyrje dietike dhe/ose ushtrime, zëvendësim të pjesshëm ose të plotë të vaktit, agjërim me ndërprerje ose stimuj financiarë të kushtëzuar për rënien në peshë", shkruajnë studiuesit, të cilët zgjodhën 124 studime për një total prej mbi 50,000 njerëz, duke i ndjekur mesatarisht për 28 muaj.

"Pjesëmarrësit kishin moshë mesatare 51 vjeç dhe indeks të masës trupore 33. Humbja në peshë në studime të ndryshme ishte 2-5 kilogramë me rikuperim që varionte nga 0.12-0.32 kilogramë në vit", shpjegojnë studiuesit. Rezultatet? Pas një viti dhe deri në 5 vjet ndjekje e një diete intensive u vu re një rënie e presionit sistolik të gjakut, hemoglobinës së glikuar (HbA1c) si dhe raportit të kolesterolit total ndaj kolesterolit HDL.

Në një editorial shoqërues, Vishal Rao dhe Neha Pagidipati nga Universiteti Duke në Durham, shkruajnë: "Këto gjetje kanë implikime interesante, por mbetet për t'u sqaruar nëse përmirësimet në faktorët e rrezikut kardiometabolikë pas rënies në peshë çojnë në përfitimet klinike afatgjata. Me fjalë të tjera, është më mirë të kesh humbur dhe rifituar peshë apo të mos kesh humbur fare?"

 

Circulation: Cardiovascular Quality and Outcomes 2023. Doi: 10.1161/CIRCOUTCOMES.122.009348
http://doi.org/10.1161/CIRCOUTCOMES.122.009348

Circulation: Cardiovascular Quality and Outcomes 2023. Doi: 10.1161/CIRCOUTCOMES.123.009965
http://doi.org/10.1161/CIRCOUTCOMES.123.009965


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>