shk122016
Bypass-i gastrik: monitorim glicemik i vazhdueshëm për diagnostikimin e hipoglicemisë
Monitorimi i vazhdueshëm i glukozës është një metodë e mirë për të treguar si rritjen e ndryshueshmërisë së glicemisë te pacientët që i janë nënshtruar bypass-it gastrik Roux-en-Y (Rygb), edhe efikasitetin e dietës për ta reduktuar. Janë këto rezultatet e një studimi të sapo publikuar në revistën "Obesity Surgery", me autore të parë Joan Bach Nielsen e Departamentit të Endokrinologjisë në Spitalin universitar të Aarhus në Danimarkë. "Tek individët që i janë nënshtruar një Rygb, glukoza në lëngjet intersticiale e matur me monitorim të vazhdueshëm, ka tendencën për të mbi vlerësuar gliceminë, gjë që duhet marrë në konsideratë nëse monitorimi i vazhdueshëm përdoret për të diagnostikuar një hipoglicemi pas ndërhyrjes", shprehet autorja, e cila thekson se Rygb duke pasur efekte favorizuese mbi sëmundshmërinë që lidhet me obezitetin, ngjall akoma ndonjë shqetësim për efekte anësore afatgjata. "Ndër to është hipoglicemia simptomatike që karakterizohet nga rrahje të zemrës, të dridhura, djersitje, asteni dhe ngadalësim konjitiv", shkruajnë kërkuesit.
Rygb rrit përthithjen e lëndëve ushqyese në traktin gastrointestinal, përfshi karbohidratet duke ndryshuar metabolizmin e glukozës dhe duke provokuar ndonjëherë episode me hipoglicemi pas vaktit ushqimor, aq sa monitorimi i vazhdueshëm i glukozës është propozuar si instrument vlerësimi për hipogliceminë te pacientët e sapo operuar. "Objektivi i studimit ishte hetimi i efikasitet të monitorimit të vazhdueshëm të glicemisë në diagnostikimin dhe në vlerësimin e trajtimit të hipoglicemisë te individët që i janë nënshtruar Rygb", shpjegon Bach Nielsen, që bashkë me kolegët ka vlerësuar 13 individë me Rygb dhe hipoglicemi simptomatike duke i krahasuar ata me të operuar të tjerë asimptomatikë. "Pas rezultateve, monitorimi i vazhdueshëm rezultoi një mënyrë shumë e mirë për të treguar jo vetëm ndryshueshmërinë e rritur të glicemisë te individët e operuar me Rygb por edhe efikasitetin e ndërhyrjeve dietike të kryera për ta reduktuar atë", pohojnë autorët.
"Pavarësisht tendencës për të mbivlerësuar glukozën në lëngjet intersticiale në laborator, mendojmë se monitorimi i vazhdueshëm i glukozës është një metodë për të ndihmuar mjekët për të menaxhuar hipogliceminë në Rygb", përfundon Nielsen.
Obesity Surgery 2016. doi: 10.1007/s11695-016-2058-7
E.T