Diabetologji

qer132016

Diabeti, në kongresin e Shoqatës Italiane të Diabetologjisë diskutohen risitë e fundit farmakologjike

Të dhëna të reja pro efikasitetit të IDegLira, kombinimit të insulinës degludec dhe liraglutide në një injeksion të vetëm ditor; konfirmim i efikasitetit dhe sigurisë së liraglutide në trajtimin e obezitetit; si dhe informacione të mëtejshme për përdorimin e canaglifoglizin, inhibitor oral i bashkëtransportuesit sodium-glukozë i tipit 2, - ishin këto disa nga temat e diskutuara në kongresin e 26 të Shoqatës Italiane të Diabetologjisë.

Efikasiteti më i madh i IDegLira në reduktimin e hemoglobinës së glikuar, peshës trupore dhe normës së hipoglicemisë, krahasuar me insulinën glargine te të rriturit me diabet tip 2, konfirmohet nga studimi DUAL V, i publikuar pak javë më parë në revistën "Jama".
Studimi parashikonte që 557 pacientë të kontrolluar në mënyrë të papërshtatshme nga terapia me metforminë dhe insulinë glargine, të ndaheshin në mënyrë të rastësishme, duke vazhduar me metforminë, por njëri grup të merrte IDegLira, ndërsa tjetri glargine.
Pas 26 javësh terapi te pacientët e trajtuar me kombinimin degludec/liragluitide u vërejt një reduktim i hemoglobinës së glikuar me 1.8%, në krahasim me pacientët që kishin vazhduar me glargine, të cilët kishin pasur një rënie prej 1.1%.

Gjithashtu më shumë se 72% e pacientëve të trajtuar me IDegLira, në krahasim me 47% të grupit me glargine, kishin arritur një nivel të hemoglobinës së glikuar më të ulët se 7%.
Një e dhënë e fundit lidhej me profilin e sigurisë: vetëm 12% e pacienteve që kishin vazhduar me insulinë glargine kishin arritur një nivel hemoglobine të glikuar më të ulët se 7% pa episode hipoglicemike, por kjo përqindje arrinte në 39% në grupin e trajtuar me  degludec/liragluitide.

Në kongres është diskutuar gjithashtu për administrimin e liraglutide në dozën e 3 mg në trajtimin e obezitetit. Rezultatet trevjeçare të studimit të fazës 3 SCALETM (Satiety and Clinical Adiposity - Liraglutide Evidence) Obesity and Prediabetes tregojnë se si trajtimi me liraglutide i kombinuar me dietën hipokalorike dhe aktivitetin fizik, lejon që të arrihet një përmirësim domethënës i faktorëve të riskut kardiometabolik kundrejt pacientëve të trajtuar vetëm me dietë dhe aktivitet fizik. Për t'u nënvizuar mbetet fakti që pacientët e trajtuar me liraglutide kanë pasur një reduktim më të madh si të presionit sistolik edhe të niveleve të triglicerideve dhe kolesterolit total në krahasim me grupin e placebos.
Siç pritej te pacientët në terapi me liraglutide u regjistrua një humbje peshe më e lartë (6,1%) krahasuar me ata të trajtuar me palcebo (1.9%) dhe një reduktim më i madh i perimetrit të belit. Për momentin këto janë të dhënat më afatgjata për përdorimin e barit në dozë 3 mg në trajtimin e obezitetit. "Këto të dhëna konfirmojnë efektin konstant të humbjes në peshë dhe impaktin pozitiv në faktorët kryesorë të riskut kardiometabolik, sigurisht të lidhur me dobësimin, por edhe me efektet e drejtpërdrejta të molekulës, për shembull ato mbi presionin arterial", thotë Paolo Sbraccia, president i Shoqatës Italiane të Obezitetit.

Në fund, të dhëna mbi përdorimin e canagliflozin në praktikën klinike mbërrijnë nga një studim i drejtuar në mbi 4000 pacientë, te të cilët ishte filluar terapia me inhibitorë të riabsorbimit renal të glukozës. Nga studimi doli se canagliflozin mundëson zvogëlimin e nivelit të hemoglobinës së glikuar me 0.81%.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>