qer292023
Diagnostikimi i hershëm i diabetit gjestacional redukton komplikimet e nënës dhe foshnjës
Nga një studim shumëqendror i kontrolluar me përzgjedhje rastësore dhe botuar në "New England Journal of Medicine", ka rezultuar se diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm i diabetit melit gjestacional mbron nënat dhe foshnjat nga komplikimet e shtatzënisë duke përfshirë: preklampsinë, kirurgjinë obstetrike, lindjen e foshnjave më të mëdha për moshën gjestacionale, distocinë e shpatullave, traumat e pësuara gjatë lindjes, shqetësimet respiratore dhe hipogliceminë neonatale.
"Ekzaminimi për diabetin për gratë në rrezik të lartë rekomandohet të kryhet që në nisje të shtatzënisë dhe nëse nivelet e glicemisë janë të larta, diabeti gjestacional duhet të trajtohet menjëherë. Edhe pse, ende nuk është e qartë nëse trajtimi i diabetit gjestacional para javës së 20-të të shtatzënisë përmirëson si shëndetin e nënës dhe ashtu edhe të foshnjës", thotë autori kryesor i studimit David Simmons nga Universiteti i Sidneit Perëndimor në Australi.
Për të hetuar më tej këtë temë, autorët vlerësuan rrjedhën e shtatzënisë pasi trajtimi për diabetin gjestacional kishte filluar përpara javës së 20-të të shtatzënisë, krahasuar me trajtimin e shtyrë për më vonë ose me gratë që nuk morën asnjë trajtim, kundrejt rezultateve të testit oral të tolerancës ndaj glukozës [OGTT ] të përsëritur në javën 24 dhe 28 të shtatzënisë. 802 gra u përzgjodhën në mënyrë rastësore, 406 prej të cilave iu nënshtruar trajtimit të menjëhershëm dhe 396 të tjerat formuan grupin e kontrollit. Studimi përfshiu tre parametra vlerësimi: rezultatet e pafavorshme neonatale përfshirë lindjen në javën e <37 të shtatzënisë, peshën e lindjes ≥ 4,500 g, shqetësimet respiratore, vdekjen neonatale ose distocinë e shpatullave; zhvillimin e preeklampsisë, eklampsisë ose hipertensionit gjestacional dhe masën trupore të dobët neonatale.
Rezultatet treguan se trajtimi i menjëhershëm i diabetit gjestacional përpara javës së 20-të të shtatzënisë çon në ulje modeste të incidencës së një kompleksi rezultatesh të pafavorshme neonatale krahasuar me trajtimin e nisur në një periudhë më të vonë, ndërkohë që nuk u vërejtën dallime thelbësore për hipertensionin e lidhur me shtatzëninë ose për masën trupore të dobët neonatale.
NEJM 2023. Doi: 10.1056/NEJMoa2214956
http://doi.org/10.1056/NEJMoa2214956