dhj32024
Diabeti. Rrezik më i lartë për burrat që konsumojnë mish të përpunuar
Burrat janë më të rrezikuar për t'u prekur nga diabeti i tipit 2 për shkak të zakoneve të këqija të të ngrënit të cilat lidhen edhe me konsumin e lartë të mishit të përpunuar dhe të pasur me nitrate dhe konservues, të cilët ndikojnë nivelet e stresit oksidativ dhe inflamacionit kronik në trup, duke nxitur kështu edhe rezistencën ndaj insulinës.
Këto janë konkluzionet e një studimi të kryer nga Universiteti Telematic San Raffaele në Romë, i publikuar së fundmi në revistën Frontiers in Nutrition. Duke qenë se burrat janë më të prirur ndaj konsumit të mishit të kuq dhe në veçanti atij të përpunuar, rrjedhimisht ata janë edhe më të rrezikuar për të pësuar ndryshime metabolike të lidhura me yndyrën e tepërt të trupit", shpjegon autorja bashkautorja Alessandra Feraco. Gratë, nga ana tjetër, konsumojnë më shumë perime, drithëra, tofu dhe çokollatë të zezë me përmbajtje të lartë kakao, duke bërë në këtë mënyrë zgjedhje ushqimore më të shëndetshme dhe me efektive. Burrat, vazhdon ajo, "zakonisht e anashkalojnë procesin e të ushqyerit, hanë më shpejt dhe janë më të prirur të konsumojnë ushqim jashtë shtëpisë". Dallime jo vetëm biologjike, por edhe sociokulturore, të cilat e bëjnë thelbësore, sipas studiuesve, adoptimin e një perspektive gjinore për zhvillimin e strategjive të shëndetit publik dhe ndërhyrjeve nutricionale që kanë si synim parandalimin e sëmundjeve kronike.
"Incidenca e diabetit melit të tipit 2 po rritet vazhdimisht, për fat të keq edhe në grupmoshat më të reja, pavarësisht disponueshmërisë së barnave gjithnjë e më efektive", thekson Massimiliano Caprio, autori kryesor i studimit. Është e rëndësishme "të insistohet në parandalimin dhe edukimin për një mënyrë jetese të shëndetshme, përndryshe sistemi i kujdesit shëndetësor mund të mos jetë më në gjendje ta përballojë këtë epidemi të vërtetë", përfundon ai.