jan312023
Diabeti 2. Nitritet e përdorur si aditivë ushqimorë rrisin rrezikun
Një studim i publikuar në "PLOS Medicine" ka arritur në përfundimin se ekziston një lidhje midis ekspozimit dietik ndaj nitriteve dhe rrezikut për zhvillimin e diabetit të tipit 2.
"Disa autoritete të shëndetit publik kanë bërë thirrje për kufizimin e përdorimit të nitriteve dhe nitrateve si aditivë ushqimorë. Megjithatë, roli i nitriteve dhe nitrateve dietike në mosfunksionimin metabolik dhe diabetin e tipit 2 te njerëzit mbetet i paeksploruar", shpjegon autori kryesor i studimit Bernard Srour nga Universiteti Sorbonne Paris Nord.
Për të kuptuar më mirë marrëdhënien midis ekspozimit dietik ndaj nitriteve dhe nitrateve dhe rrezikut për diabet të tipit 2, studiuesit analizuan të dhënat e mbledhura nga 104,168 pjesëmarrës të studimit NutriNet-Santé.
Ekspertët zbuluan se individët që raportuan marrjen më të lartë të nitriteve në përgjithësi, dhe ato që rrjedhin nga aditivët e ushqimit në veçanti, ishin më të rrezikuar për të zhvilluar diabet të tipit 2. Për sa i përket nitrateve, nuk u vu re asnjë lidhje ndërmjet tyre dhe rrezikut për diabet të tipit 2.
Studimi kishte disa kufizime dhe nevojiten kërkime të mëtejshme për të vërtetuar gjetjet e tij. Të dhënat ishin të vetë raportuara dhe studiuesit nuk mund të konfirmonin ekspozimin specifik ndaj nitriteve dhe nitrateve duke përdorur bioshënjuesit.
Për më tepër, gjetjet në grup mund të mos jenë të përgjithësueshme për pjesën tjetër të popullsisë dhe disa faktorë ngatërrues mund të kenë ndikuar në rezultatet për shkak të modelit vëzhgues të studimit.
"Këto rezultate ofrojnë prova të reja në kontekstin e diskutimeve aktuale mbi nevojën për një reduktim të përdorimit të nitriteve si aditivë te mishi i përpunuar nga industria ushqimore dhe mund të mbështesin nevojën për rregullim më të mirë të ndotjes së tokës nga plehrat. Ndërkohë, disa autoritete të shëndetit publik në mbarë botën tashmë po rekomandojnë qytetarët të kufizojnë konsumin e ushqimeve që përmbajnë aditivë të diskutueshëm, duke përfshirë nitritin e natriumit", përfundojnë autorët.
PLOS Medicine 2023. Doi: 10.1371/journal.pmed.1004149
http://doi.org/10.1371/journal.pmed.1004149