Diabetologji

gus292022

Diabetikët që konsumojnë më pak ushqime të përpunuara gjatë mbrëmjes mund të jetojnë më gjatë

Diabetikët që konsumojnë sasi të vogla të ushqimeve të përpunuara në mbrëmje dhe ushqime të pasura me karbohidrate herët gjatë ditës dhe jo gjatë mbrëmjes, gëzojnë shëndet më të mirë kardiovaskular dhe jetojnë më gjatë.

Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism, me autor kryesor Wenbo Jiang nga Universiteti Mjekësor Harbin në Kinë. "Orari i vaktit duhet të jetë në përputhje me orën biologjike, një proces i brendshëm natyror që rregullon ciklin gjumë-zgjim dhe përsëritet çdo 24 orë", thotë studiuesi, duke shpjeguar se gjendja shëndetësore e pacientëve me diabet mund të përmirësohet nëse disa ushqime konsumohen në kohë të ndryshme të ditës.

"Me fjalë të tjera, ne kemi vërejtur se te njerëzit me diabet të tipit 2 (DM2) konsumi i patateve në mëngjes, drithërave pasdite, perimeve dhe mishit të papërpunuar në mbrëmje shoqërohet me mbijetesë më të mirë", shkruajnë autorët të cilët analizuan të dhënat nga 4642 diabetikë pjesëmarrës në Anketën Kombëtare të Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqyerjes (NHANES) në periudhën 2003-2014 për të hetuar nëse koha e marrjes së ushqimit gjatë tre vakteve kishte lidhje me mbijetesën afatgjatë te njerëzit me DM2.

Ushqimi i konsumuar gjatë ditës, mëngjes, pasdite dhe mbrëmje u nda në sasi në bazë të shpërndarjes, duke analizuar korrelacionin ndërmjet kohës së marrjes së ushqimit dhe vdekshmërisë. Pjesëmarrësit u ndoqën për rreth dy vjet, kohë gjatë së cilës 307 prej tyre vdiqën si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare.

Dhe rezultatet flasin vetë: te diabetikët me konsum më të madh të patateve ose perimeve me niseshte në mëngjes, drithërave pasdite dhe perimeve me ngjyrë të errët dhe qumështit në mbrëmje, rreziku i vdekjes nga sëmundjet e zemrës ishte 45% më i ulët krahasuar me ata që i konsumuan më pak këto produkte. Në anën tjetër, ata që konsumonin sasi më të mëdha mishi të përpunuar gjatë mbrëmjes si: proshutë, sallam dhe të ngjashme, kishin një rrezik 74% më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare", përfundon Wenbo, duke rekomanduar se është e rëndësishme që të reduktohet konsumi i ushqimeve shumë të përpunuara dhe në vend të kësaj të promovohen modelet e dietave të pasura me fruta, perime dhe ushqime të plota si për shembull dieta mesdhetare.

 

Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism 2022. Doi: 10.1210/clinem/dgac069
http://doi.org/10.1210/clinem/dgac069


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>