gus142018
Diabeti 2. Shoqatat shkencore kundërshtojnë njëra-tjetrën në lidhje me normat e pranueshme
Kohët e fundit, Kolegji Amerikan i Mjekëve (ACP) ka dhënë rekomandime të reja në lidhje me trajtimin e diabetit të tipit 2, që kanë zgjuar kritika të shumta në fushën e diabetologjisë dhe të endokrinologjisë. Kjo ka ndodhur, më së shumti, për shkak të divergjencës së fortë në lidhje me udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Diabetit (ADA) dhe të Shoqatës Amerikane të Endokrinologëve Klinikë (AACE), rreth disa pikave kyçe që kanë të bëjnë me kontrollin glicemik. Një mendim në lidhje me këtë temë, e jep Maria Chantal Ponziani, zëvendës presidente e Shoqatës së Mjekëve Dietologë (AMD) në Itali.
- Doktoresha Ponziani, cili aspekt i udhëzimeve të ACP-së ka zgjuar më shumë reagime?
- Fakti që propozohet një target i HbA1c 7 - 8% për pjesën më të madhe të diabetikëve të tipit 2, që nuk janë shtatzënë. Ky rekomandim është në kontrast me udhëzimet e ADA-s dhe AACE-së. AACE-ja individualizon një vlerë të HbA1c <6,5%, si një objektiv në diabetin e tipit 2, duke nënvizuar se në mungesë të komorbilitetit, vlera duhet të jetë sa më pranë vlerave të normalitetit. ADA thotë se një objektiv <7%, vendos një target shtrëngues te pacientët e rinj pa komorbilitet dhe me kohëzgjatje më të shkurtër të sëmundjes. Këto objektiva janë të justifikuara nga disponueshmëria e barnave, profili i sigurisë kardio-renale dhe rreziku i ulët hipoglicemik që japin mundësi për arritjen e targeteve të tilla të sigurisë.
Vëzhgimi i ACP-së, se rekomandimi rrjedh nga fakti që disa studime nuk kanë treguar një dobi kardiovaskulare në ndjekjen e vlerave Hba1c shumë kufizuese, nuk është i përshtatshëm pasi në studime të tilla, pacientët ishin të moshuar, në parandalim dytësor dhe të trajtuar me terapi me rrezik hipoglicemik.
- Në këtë pikë, cili është qëndrimi i standardeve italiane dhe komenti juaj personal?
- Në edicionin 2016, pozicioni ishte i njëjtë me atë të ADA-s. Së shpejti, do të dalë Edicioni 2018. Nuk dua të thellohem në detaje, por mund të them se targetet e propozuara marrin parasysh edhe novacionet farmakologjike dhe rezultatet e studimeve të fundit. Unë mendoj se në optikën e parandalimit të komplikacioneve mikro dhe makrovaskulare janë të nevojshme targete shtrënguese të arritshme, pa ia ekspozuar pacientin rreziqeve të papritura hipoglicemike.
- A ka të tjera tema që tregojnë dallimin e rëndësishëm mes rekomandimeve ACP nga njëra anë dhe të atyre ADA dhe AACE, nga ana tjetër?
- Dokumenti i ACP-së propozon një reduktim të terapisë te diabetikët me HbA1c < 6,5%. Në udhëzimet ADA dhe AACE nuk është vlera absolute e HbA1c-së ajo që udhëheq thjeshtimin e terapive, por situata klinike e pacientit, për të evituar mostrajtimin e duhur te pacientët në parandalim dytësor, te të cilët objektivi mund të arrihet pa rreziqe hipoglicemike. Për subjektet me pritshmëri jetësore më të vogla se 10 vjet (përfshi subjektet me moshë > 80 vjeç) nuk propozohet një target HbA1c, por vetëm objektivi për të evituar hipergliceminë. Për ADA-n dhe AACE-në, objektiva të tilla janë të kufizuara te pacientët që presin vdekjen, ndërsa objektivi duhet treguar dhe individualizuar tek i moshuari.
- Si mendoni se mund të parandalohet keqorientimi i përcaktuar nga mundësia për mbipozicionim apo kundërpozicionim, mes udhëzimeve të lëshuara nga shoqata të ndryshme shkencore në të njëjtin vend?
- Mendoj se keqorientimi mund të kapërcehet me publikimin e standardeve dhe nëpërmjet një aktiviteti formues në lidhje me terapitë e reja.