Focus

gus22016

Nga mikrobioma nazale një armë e re kundër antibiotikorezistencës

Një armë e re kundër baktereve multirezistente mund të vijë nga mikrobioma nazale. Për efektivitetin e kësaj familjeje të re antibiotikësh, të prodhuar nga një bakter i hundës, janë plotësisht të bindur kërkuesit e Universitetit të Tubingës që kanë identifikuar armën e re potenciale e cila është treguar efikase edhe ndaj Staphylococcus aureus methicillin-rezistente (MRSA).

Dihet se në vitet e fundit infeksionet e shkaktuara nga mikroorganizmat rezistente ndaj antibiotikëve janë bërë më të shpeshta dhe parashikimet për të ardhmen nuk janë pozitive: në dekadat e ardhshme infeksionet bakteriale multirezistente mendohet se do t'i kalojnë tumoret për nga numri i vdekshmërisë.

Kërkuesit gjermanë e filluan me studimin e mekanizmave që ndërhyjnë me kolonizimin e mikro-organizmave patogjene në mukozën nazale duke marrë për bazë rolin e baktereve të pranishme në hundë. Duke testuar aftësinë antimikrobike ndaj S aureus nga shtamet e ndryshme të stafilokokut të izoluara nga sekrecionet nazale, u vëzhgua se si një shtam i veçantë, S. lugdunensis IVK28, ishte i pajisur me një kapacitet të spikatur për të penguar rritjen e S. aureus. Merita i atribuohej një substance të veçantë të quajtur lugdundina, një antibiotik peptidik ciklik i cili përmbante tiazolidinë.

Aktiviteti i antibiotikut të ri u testua në një grup të gjerë patogjenesh njerëzore. Kërkuesit gjermanë  vëzhguan se si lugdundina ishte e pajisur me një aktivitet të fuqishëm antimikrobik kundrejt një numri të madh gram pozitivësh, duke përfshirë shumë patogjene oportuniste, të tilla si S. aureus methicillin-rezistente, S aureus me rezistencë të ndërmjetme ndaj glikopeptideve dhe enterokoket vankomicinë-rezistente. Aktiviteti in vivo i lugdundinës është vlerësuar në një model infeksioni në lëkurën e miut që imiton infeksionin tipik njerëzor nga S.aureus.

"Ekzaminimi i lëkurës së kafshëve 6 orë pas administrimit të antibiotikut të ri, dokumentoi një reduktim të ndjeshëm ose zhdukjen totale të S.aureus si në shtresat sipërfaqësore edhe në ato të thella, rezultat që tregon jo vetëm efikasitetin e antibiotikut në zhdukjen e infeksionit, - nënvizojnë autorët, -  por edhe aftësinë e tij për të penetruar në inde in vivo".

Të dhëna të mëtejshme mbi aktivitetin in vivo vijnë nga ekzaminimi i aftësisë së S lugdunensis për të ndërhyrë me kolonizimin e S.aureus. Për këtë qëllim autorët kanë analizuar tamponët nazalë të 187 pacientëve të shtruar në spital: dhe u pa se si një kolonizim nga S.aureus ishte i pranishëm vetëm në 5.9% të atyre që kishin në sekrecionet nazale S lugdunensis krahasuar me 34.7% te ata që nuk kishin S lugdunensis në mukozën nazale. Një shënim i fundit pozitiv: lugdundina duket se karakterizohet edhe nga një risk i ulët për të nxitur rezistencë, duke konsideruar se të gjitha kampionet e S.aureus të izoluara kanë ruajtur ndjeshmërinë ndaj antibiotikut të ri.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>