nën302017
Skizofrenia, një avatar redukton simptomat halucinogjene
Një terapi eksperimentale që përfshin një bisedë të drejtpërdrejt mes një personi me skizofreni dhe një avatari që përfaqëson halucinacionet e tij të dëgjimit, mundet që bashkë me trajtimin e zakonshëm të ndihmojë në reduktimin e simptomave, siç tregojnë të dhënat e një studimi të publikuar në "The Lancet Psychiatry". Një përqindje e madhe personash me skizofreni vazhdojnë të dëgjojnë zëra shqetësues pavarësisht ndjekjes së një terapie afatgjatë, pra është e rëndësishme të kërkohen forma trajtimi më të reja, efikase dhe të shkurtra", pohon autori Tom Craig nga King's College në Londër. Bëhet fjalë për studimin e parë të randomizuar në shkallë të gjerë për këtë lloj terapie në persona me halucinacione të vazhdueshme dhe shqetësuese në dëgjim. Të 150 pjesëmarrësit vazhduan të merrnin trajtimin e tyre të zakonshëm gjatë kohës së studimit. Kërkuesit ballafaquan një terapi me avatar me një formë këshillimi mbështetës të përshtatur enkas për studimin. Terapia me avatar është zhvilluar në seanca, secila prej 50 minutash një herë në javë. Para se të fillohej trajtimi, pacientët punuan me terapistin për të krijuar një simulim të kompjuterizuar të zërit dhe zhvilluan më pas një bisedë trepalëshe, pra mes pacientit, terapistit dhe avatarit, ky i fundit i menaxhuar nga terapisti. Në çdo seancë pacientët kalonin 10-15 minuta duke folur drejtpërdrejt me avatarin dhe merrnin nën kontroll bisedën.
Këshillimi mbështetës u krye me të njëjtin numër dhe kohëzgjatje seancash. Pas 12 javësh, simptomat e pacientëve të grupit avatar u gjykuan si më pak të rënda se ato të vëzhguara në grupin që kishte marrë këshillim. Shtatë persona që iu nënshtruan terapisë me avatar dhe dy në grupin e këshillimit raportuan gjithashtu se halucinacionet e tyre ishin zhdukur plotësisht.
Përmirësimet e shpejta të vëzhguara në grupin e trajtimit me avatar vazhduan deri në 24 javë, por përgjatë kohës edhe në grupin e trajtimit me këshillim halucinacionet u bënë më pak të shpeshta dhe stresuese dhe në javën e 24 nuk kishte ndryshime në rezultatet e të dyja grupeve. "Teknologjia mund të errësojë ose ndriçojë vizionin tonë për realitetin, por në rastin e avatarit duket se ofron një metodë të fuqishme për të personifikuar dhe nxjerrë jashtë një fenomen të brendshëm dhe shpesh ndërhyrës", shkruan në një koment të bashkëngjitur Ben Alderson-Day nga Durham University në Mbretërinë e Bashkuar.
The Lancet Psychiatry 2017. Doi: 10.1016/S2215-0366(17)30427-3 http://www.thelancet.com/journals/lanpsy/article/PIIS2215-0366(17)30427-3/fulltext