Focus

mar302018

Ndryshojnë udhëzimet për kancerin e lëkurës: pro ndryshimit të sjelljes dhe kundër vetekzaminimit

Në një përditësim të udhëzimeve për parandalimin e kancerit të lëkurës, është këshilluar konsulencë mjekësore për modifikim të sjelljes, me qëllim, reduktimin e rrezikut të kancerit nga rrezatimi ultravjollcë (UV) te njerëzit e moshës nga gjashtë muaj deri në 24 vjeç, me lëkurë të zbehtë.

Shkencëtarët e Task Forcës për Parandalim në SHBA (USPSTF), kanë shqyrtuar provat e dala nga studimet mbi këtë temë dhe kanë dalë në përfundimin se ndërhyrjet që kanë të bëjnë me këshillimin për modifikim të sjelljes kanë sjellë rezultate pozitive, sepse është shtuar mbrojtja nga dielli te fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit në moshë të re dhe me lëkurë të zbehtë; veç kësaj, janë zbuluar prova të mjaftueshme për të konfirmuar se ndërhyrjet për modifikim të sjelljes kanë patur rezultat në mbrojtjen nga dielli edhe te të rriturit mbi 24 vjeç, me lëkurë të zbehtë.

Nga ana tjetër, grupi i punës ka gjetur dëshmi jo bindëse në lidhje me rezultatet që ka patur këshillimi për vetekzaminim të lëkurës. Kështu, rekomandohet këshillim për të rinjtë, adoleshentët, fëmijët dhe prindërit e fëmijëve të vegjël që të minimizojnë ekspozimin ndaj rrezatimit UV te njerëzit me lëkurë të zbehtë, që i përkasin grupmoshës 6 muaj-24 vjeç. Gjithashtu rekomandohet që klinicistët të ofrojnë vetëm në mënyrë përzgjedhëse (|duke marrë parasysh praninë e faktorëve të rrezikut), këshillimin e të rriturve mbi moshën 24 vjeç me ngjyrë të zbehtë të lëkurës, për të minimizuar ekspozimin e tyre ndaj rrezatimit UV. Përfundimisht, udhëzimet theksojnë se provat aktuale janë të pamjaftueshme për të vlerësuar balancën ndërmjet të mirave dhe dëmeve të vetekzaminimit për të parandaluar kancerin.

"A janë rekomandimet e USPSTF-së objektive dhe të balancuara?", pyesin në një editorial shoqërues, June Robinson (Shkolla e Mjekësisë Feinberg, Çikago) dhe Nina Jablonski (Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë). Ata janë skeptikë për mundësinë e përzgjedhjes së pacientëve të moshës 24 vjeç e lart për t'u ofruar këshillim, pasi kjo do të kërkonte një njohje të thellë të jetës dhe aktiviteteve të pacientit, informacione që përgjithësisht, mjeku i përgjithshëm nuk i ka.

Për më tepër, theksojnë autorët, koncepti i "lëkurës së zbehtë" është shumë i kufizuar dhe nuk përfshin të gjithë njerëzit që janë subjekt i djegieve nga dielli. Dyshimet gjithashtu shtrihen edhe në përjashtimin e vetekzaminimit, pasi autorët besojnë se kontrolli dhe madje edhe krahasimi me anëtarët e familjes ose grupet në fjalë, mund të ndihmojnë në parandalim.

 

JAMA. 2018. doi: 10.1001/jama.2018.1623
http://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/10.1001/jama.2018.1623


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>