Mjekësi e përgjithshme

maj232024

Kanceret e lëkurës. SIDEMAST: Shmangni ekspozimin ndaj rrezatimeve të diellit, pa pasur mbrojtjen e duhur

Ekspozimi i qëllimshëm ndaj rrezatimit diellor ose burimeve artificiale të rrezatimit UV për nxirje është një sjellje jo e shëndetshme dhe duhet shmangur. Këto veprime janë shkaku kryesor për shfaqjen e kancereve të lëkurës. Sipas Shoqatës Italiane të Dermatologjisë dhe Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme (SIDEMAST), mbrojtja e duhur nga rrezet duhet të përfshijë reduktimin e ekspozimit të qëllimshëm, duke ndryshuar zakonet përsa i përket plazhit dhe nxirjes.

Në popullatat me lëkurë në ngjyrë të hapur, u vlerësua se 95% e tumoreve keratinocitare malinje, të tilla si karcinoma bazoqelizore dhe skuamoqelizore, dhe 70-95% e melanomave janë shkaktuar nga rrezatimet UV. Pra, mund të parandalohet një përqindje domethënëse e kancereve të lëkurës duke reduktuar rrezatimet UV të panevojshme dhe të tepërta përmes mbrojtjes së duhur. Por, është e vështirë t'i rezistosh nxirjes dhe për individët që punojnë në mjedise të jashtme është i pashmangshëm ekspozimi ndaj rrezeve të diellit. Prandaj, çelësi është mbrojtja e duhur, duke përdorur veshje, kapela me strehë të gjerë dhe syze dielli, duke aplikuar mirë një krem kundër diellit, me faktorë 30-50+ dhe të pajisur me etiketën UVA, në të gjitha zonat e lëkurës që nuk mund të mbrohen nga veshjet, dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, duke hequr dorë nga përdorimi i solarit.

Rritja e incidencës së melanomës mund të evidentohet duke analizuar përparimin afatgjatë. "Për shembull, në vitin 1950 Regjistri i tumoreve daneze ka dokumentuar një rast me melanomë për 100.000 banorë, duke kaluar në tre raste për 100.000 banorë në 1970, 25 raste në 1990 dhe 50-70 raste të parashikuara për vitin 2036. Rritja me 50 herë në më pak se 90 vjet është unike nga të gjithë tumoret dhe përparimi i incidencës së tumoreve keratinocitare është shumë i ngjashëm.
Individët me lëkurë në ngjyrë të hapur, sidomos fëmijët, duhet ta reduktojnë në maksimum ekspozimin e tyre ndaj rrezatimeve UV, duke marrë masa për mbrojtjen nga dielli, kur parashikohet që indeksi UV, i cili tregon intensitetin e rrezatimit UV të diellit në sipërfaqen e tokës, kap shifrën 3 e lart. Mbrojtja e duhur arrihet përmes kombinimit të shumë masave së bashku, si: qëndrimi në hije, përdorimi i veshjeve, kapeleve dhe syzeve, si dhe aplikimi i kremrave kundër diellit në zonat e eskpozuara. Megjithatë, në praktikën klinike, individët kanë tendencën të mbivlerësojnë mbrojtjen nga kremrat kundër diellit, me një ndjenjë sigurie të gabuar kur shkojnë në plazh dhe ekspozohen në diell. Kjo mund të shkaktojë rrezik për zhvillim të kancereve të lëkurës.

Mbrojtja nga rrezet UV ka një efekt pozitiv përsa i përket investimit, pasi nxit reduktimin e incidencës së sëmundjes dhe peshën e saj ekonomike. Sipas të dhënave të OBSH-së, një tumor në tre është kancer lëkure. Reduktimi i ekspozimit ndaj rrezeve UV përbën një strategji thelbësore për kontrollimin e epidemisë së kancereve të lëkurës.

Politikëbërësit duhet të përcjellin mesazhe të forta për publikun mbi mbrojtjen nga rrezet UV dhe nxitjen e mospërdorimit të burimeve artificiale të rrezeve UV, përmes një rregulloreje strikte, apo një urdhër ndalimi. Ata duhet të garantojnë komunikimin dhe edukimin e popullsisë rreth indeksit ditor të rrezatimit UV, p.sh. përmes raporteve të motit, apo krijimit të strukturave që bëjnë hije në mjediset e hapura të shkollave dhe në zonat rekreative.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>