kor82024
Dieta mesdhetare, aleate në luftimin e vdekshmërisë nga tumoret
Nga një studim i publikuar në revistën JACC CardioOncology, është demonstruar se dieta mesdhetare është një aleate shumë e mirë e shëndetit, edhe pas diagnostikimit me tumor.
Ai ka treguar se individët e diagnostikuar me çfarëdolloj tumori dhe që kanë ndjekur një stil ushqimor të nxitur nga parimet mesdhetare një vit para pjesëmarrjes në studim, jetojnë më gjatë krahasuar me ata që e ndjekin më pak dietën mesdhetare.
Studiuesit analizuan të dhënat e 800 të rriturve italianë, burra e gra, të cilët në momentin e pjesëmarrjes në studimin epidemiologjik të quajtur "Moli-sani", ishin të diagnostikuar me tumor. Ky studim, i cili nisi në mars të vitit 2005, përfshiu afro 25.000 qytetarë, me qëllim njohjen e faktorëve mjedisorë dhe gjenetikë në bazë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumoreve. Pacientët u ndoqën për më shumë se 13 vjet dhe u grumbulluan informacione të detajuara mbi konsumimin e tyre ushqimor.
Duke marrë parasysh se numri i pacientëve që mbijetojnë nga kanceri është i destinuar të rritet me kohën, falë terapive gjithnjë e më të sakta dhe efikase është thelbësore të kuptojmë nëse mënyra e jetesës së të ushqyerit mund të zgjasë mbijetesën e tyre dhe në çfarë mase mund ta bëjë këtë.
Mesazhi kryesor i këtij studimi është se nuk duhet të ndërpriten përpjekjet për parandalim. Në fakt, të dhënat tregojnë se individët e diagnostikuar me tumor, të cilët referonin se kishin ndjekur një stil ushqimor mesdhetar, shfaqnin rrezik vdekshmërie më të ulët, krahasuar me ata që nuk kishin ndjekur një dietë mesdhetare. Ky përfitim ishte veçanërisht evident përsa i përket vdekshmërisë kardiovaskulare. Një tjetër mesazh i rëndësishëm i këtij studimi ishte se tumoret dhe sëmundjet kardiovaskulare, edhe pse në dukje të ndryshme, ndajnë të njëjtit faktorë rreziku. Kjo është ajo që në literaturë njihet edhe si "common soil", një terren i përbashkët nga i cili vijnë këto patologji të ndryshme.