gus52024
Tensioni i lartë për vite me radhë shton rrezikun për iktus. Ja, studimi
Hipertensioni njihet si një patologji që rrit probabilitetin për të zhvilluar iktus. Në një studim janë analizuar efektet e akumuluara gjatë viteve të tensionit arterial sistolik të lartë (numri më i lartë në matjen e presionit të gjakut, që tregon se sa fort e pompon zemra gjakun në arterie), duke zbuluar se një matje mesatare e lartë në moshë madhore lidhet me më shumë rrezik për zhvillim të dy llojeve më të zakonshme të iktusit.
Metodologjia dhe zbulimet
Në studimin e publikuar në JAMA Network Open, u analizua tensioni arterial sistolik mesatar për vitet përpara iktusit të parë te më shumë se 40.000 individë në moshat 18 vjeç e lart, pa anamnezë iktusi. Studiuesit morën në konsideratë tre lloje iktusi:
- Iktusin ishemik: një koagulim që ndërpret furnizimin e trurit me gjak, duke shkaktuar 85% të të gjitha iktuseve
- Hemorragjinë intracerebrale: një hemorragji në brendësi të trurit.
- Hemorragjinë subaraknoide: gjakderdhje ndërmjet trurit dhe indeve që e mbulojnë atë.
Nga studimi u zbulua se të pasurit e një tensioni arterial sistolik mesatar prej 10 mm Hg më të lartë, krahasuar me atë mesatar, lidhet me 20% më shumë rrezik komplesiv për iktus dhe iktus ishemik, si dhe me 31% më shumë rrezik për hemorragji intracerebrale.
Monitoroni presionin e gjakut
Edhe pse tensioni arterial sistolik është një objektiv i ndryshueshëm për parandalimin e iktusit dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare, nga një studim kombëtar i kryer në vitin 2020, u zbulua se kontrolli i presionit të gjakut në SHBA ishte përkeqësuar në vitet 2013-2018, sidomos te të rriturit me ngjyrë dhe ata hispanikë. Monitorimi autonom i presionit të gjakut, përmirëson diagnostikimin dhe kontrollin e presionit arterial, është i saktë dhe i leverdishëm, por mbetet një mjet i pa shfrytëzuar.
"Dy pengesat kryesore në monitorimin autonom të presionit të gjakut janë mungesa e edukimit të pacientëve dhe mungesa e siguracionit për monitoruesit e presionit të gjakut nga shtëpia, të cilët kushtojnë 50 dollarë, ose më shumë. Sistemet shëndetësore dhe furnizuesit duhet t'i edukojnë dhe udhëzojnë pacientët e tyre mbi monitorimin e presionit të gjakut në shtëpi dhe siguracioni duhet të paguajë për monitoruesit e presionit të gjakut nga shtëpia, me qëllim optimizimin e tensionit arterial të individëve dhe reduktimin e probabilititetit të tyre për të zhvilluar iktus", u shpreh autorja kryesore e studimit Deborah A. Levine.
Rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe e kontrollit të tensionit
"Rezultat tona sugjerojnë se diagnostikimi i hershëm dhe kontrolli i vazhdueshëm i hipertensionit gjatë jetës janë thelbësore për parandalimin e iktusit, iktusit ishemik dhe hemorragjisë intracerebrale, sidomos te pacientët me ngjyrë dhe hispanikë, të cilët janë më të prirur për të zhvilluar hipertension të pakontrolluar, krahasuar me pacientët e bardhë", përfundoi Levine.