Kardiologji

qer252024

Barnat antihipertensive mund të reduktojnë rrezikun për epilepsi? Ja, studimi

Një studim i publikuar në JAMA Neurology mund të përbëjë një kthesë të rëndësishme për parandalimin e epilepsisë. Studiuesit zbuluan se një klasë barnash që përdoren për uljen e presionit të gjakut, inhibitorët e receptorëve të angiotensinës (ARB), mund të reduktojnë rrezikun për zhvillim të epilepsisë te të rriturit.

Analiza, e kryer mbi kartelat mjekësore të 2.2 milionë amerikanëve, të cilët trajtohen për hipertension, sugjeron se këto barna mund ta parandalojnë epilepsinë, sidomos te individët më të rrezikuar, si p.sh. të moshuarit që kanë pësuar iktus.

Epilepsia, shpesh e diagnostikuar në fëmijëri, prek më shumë se 1% të individëve 65 vjeç e lart, me kriza rekurente që mund të dëmtojnë përkohësisht funksionet cerebrale dhe të shkaktojnë simptoma të ndryshme. Te të moshuarit, faktori i rrezikut më i zakonshëm për epilepsinë është iktusi: afro 10% e individëve që kanë zhvilluar iktus, kanë përjetuar kriza epileptike brenda pesë vitesh. Edhe sëmundjet vaskulare dhe hipertensioni kronik, pavarësisht iktusit, shtojnë rrezikun për epilepsi.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, disa studime sugjeruan se barnat për hipertensionin mund të ndihmojnë në reduktimin e krizave epilektike falë kapacitetit të tyre për uljen e inflamacionit, faktor kryesor në krizat postiktusit apo posttraumave cerebrale. Sipas një studimi të vitit 2022 në Gjermani, të kryer mbi 160.000 individë, rezultoi se ata që merrnin ARB ishin më pak të rrezikuar për të zhvilluar epilepsi.

Nga të dhënat e publikuara në analizën e fundit, u vërejt se kush merrte ARB kishte 20-30% më pak rrezik për të zhvilluar epilepsi në vitet 2010-2017, krahasuar me ata që merrnin barna të tjera antihipertensive. Ky rezultat mbeti konstant edhe duke përjashtuar pacientët e prekur nga iktusi.

Në veçanti, losartani shfaqi efekt të konsiderueshëm në reduktimin e rrezikut për epilepsi, edhe pse nevojiten studime të mëtejshme për konfirmimin e kësaj të dhëne. Megjithëse të gjitha barnat antihipertensive kontribuojnë në reduktimin e rrezikut për epilepsi, ARB mund të kenë më shumë rezultat. Aktualisht, afro 14% e pacientëve në trajtim për hipertension merr ARB, ndërsa pjesa më e madhe përdor klasa të tjera barnash, si betabllokuesit, antagonistët e kalciumit dhe inhibitorët ACE.

"Ky rezultat është jashtëzakonisht entuziazmues, pasi aktualisht nuk kemi barna të tjera që parandalojnë epilepsinë. Shpresoj që këto rezultate fillestare të çojnë në prova klinike të randomizuara", deklaroi autori kryesor i studimit, dr. Kimford Meador.

"Kjo mund të jetë një faqe e re në historinë e mjekësisë parandaluese. Fakti që kjo klasë barnash, jo vetëm ul presionin e gjakut, por redukton edhe rrezikun për epilepsi, mund të ndryshojë qasjen tonë terapeutike", thekson ai. Megjithatë, nevojiten studime klinike të randomizuara për të konfirmuar lidhjen ndërmjet ARB dhe reduktimit të rrezikut për epilepsi, përpara përditësimit të udhëzimeve terapeutike.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>