maj282024
Rreziku për hipertension dhe probleme të funksionit renal pas dhurimit të veshkave
Dhurimi i veshkave nuk e rrit ndjeshëm rrezikun për zhvillim të hipertensionit në gjashtë vitet pasuese të ndërhyrjes. Ky konstatim ka ardhur nga një studim i publikuar në JAMA, në të cilin janë ekzaminuar 924 dhurues veshkash dhe 396 jo dhurues, të gjithë me tipare shëndetësore të ngjashme në momentin e përfshirjes në studim. Ky studim, i kryer në vitet 2004-2014, përbën një nga analizat perspektive më të detajuara mbi dhuruesit e veshkave.
Gjatë një kontrolli ecurie, mesatarisht prej 7.3 vjetësh, incidenca e hipertensionit te dhuruesit dhe jo dhuruesit, ishte e ngjashme (17% për të dyja grupet), ashtu si edhe ndryshimet gjatësore të presionit mesatar të gjakut.
Të dhënat mbi shkallën e shpejtësisë së filtrimit glomerular (eGFR) demonstrojnë një rënie fillestare prej 32 mL/min/1.73 m2 te dhuruesit, pas nefrektomisë. Megjithatë, më pas, dhuruesit kanë shfaqur ngadalësim të reduktimit vjetor të eGFR, me një rënie mesatare vjetore prej 0.1 mL/min/1.73 m2, ndërsa jo dhuruesit pësuan një rënie mesatare vjetore prej 1.2 mL/min/1.73 m2. E gjitha kjo, përkthehet në një ndryshim vjetor të ponderuar prej 1.4 mL/min/1.73 m2 (95% Cl, 1.2-1.5) në favor të dhuruesve.
Ky studim ofron informacione të çmuara që mund të ndihmojnë në informimin dhe mbrojtjen e dhuruesve të veshkave, duke përforcuar praktikën e dhurimit.