shk52024
Çrregulluesit endokrinë. Alarmi nga Franca për 21 efekte të reja të mundshme shëndetësore
Santé Publique France (SPF), Agjencia Kombëtare Franceze e Shëndetit Publik, ka publikuar rezultatet e studimit PEPS'PE, i nisur në vitin 2021. Projekti fokusohej në caktimin e efekteve shëndetësore të çrregulluesve endokrinë (ED) që duheshin monitoruar. Prioritare u konsideruan 21 nga 59 efekte shëndetësore që dyshohet se lidhen me ekspozimin ndaj ED.
Projekti PEPS'PE synonte të identifikonte të gjitha efektet shëndetësore të lidhura me çrregulluesit endokrinë për të integruar dhe për t'iu dhënë prioritet programeve të mbikëqyrjes.
59 efektet shëndetësore që dyshohen se lidhen me ED-të duhet të vlerësoheshin bazuar në dy kritere: peshën e provave dhe ndikimin epidemiologjik dhe social. Një panel ekspertësh ndërkombëtarë ka renditur 21 efekte shëndetësore si prioritete për mbikëqyrje.
Midis këtyre efekteve, gjashtë efekte të shëndetit riprodhues janë monitoruar tashmë në programin francez të mbikëqyrjes: kriptorkizmi, hipospadia, puberteti i parakohshëm, kanceri i testikujve, ndryshimi i cilësisë së spermës dhe endometrioza. Përsa i përket shëndetit riprodhues, tani është përfshirë edhe rënia e fertilitetit.
Ndër efektet e reja që duhen monitoruar janë gjithashtu: efektet metabolike (duke përfshirë mbipeshën dhe obezitetin, sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2 dhe sindromën metabolike), çrregullimet neurozhvillimore në fëmijëri (përfshirë çrregullimet e sjelljes, deficitet intelektuale dhe çrregullimet e mungesës së vëmendjes), tumoret (përfshirë kancerin e gjirit, kancerin e prostatës, limfomat dhe leuceminë te fëmijët) dhe astma.
22 efekte u konsideruan me prioritet të ulët ose pa prioritet pasi për to, për shembull, kishte prova të dobëta ose të moderuara me nivele të ndryshme interesi për mbikëqyrje. Së fundi, nuk mund t'u jepej prioritet 16 efekteve shëndetësore (p.sh. çrregullime të kockave, çrregullime të veshkave dhe çrregullime të lëkurës dhe syve) për shkak të mungesës së ekspertëve shkencorë për këto tema dhe mosarritjes së konsensusit.
Këto udhëzime të reja nga SPF tregojnë qartë angazhimin për një mbikëqyrje më të gjerë shëndetësore, duke reflektuar ndërgjegjësimin e shtuar për rreziqet që lidhen me ED-të dhe nevojën për të marrë masa parandaluese në kohë.
"Këto konstatime tregojnë nevojën për të zgjeruar fushëveprimin e mbikëqyrjes së Agjencisë përtej shëndetit riprodhues, duke përfshirë patologji të reja kur të dhënat e mbikëqyrjes janë të disponueshme", u tha në një njoftim për shtyp të SPF-së.