Focus

qer112018

Inteligjenca artificiale mund ta zbulojë kancerin e lëkurës më mirë se dermatologu

Në një studim të publikuar në "Annals of Oncology" për herë të parë, një rrjet nervor CNN, një formë e inteligjencës artificiale, ka treguar se mund të ofrojë performancë më të mirë krahasuar me dermatologët, edhe nëse ata janë ekspertë, në zbulimin e kancerit të lëkurës. Autorët e studimit kanë stërvitur një CNN për të identifikuar kancerin e lëkurës, duke i treguar më shumë se 100.000 fotografi dermoskopike të melanomave malinje dhe të nevuseve beninje.

"Pasi përfunduam stërvitjen, krijuam një seri imazhesh të papërdorura më parë gjatë trajnimit, pra, që nuk njiheshin nga CNN-ja. Njëqind dëmtime nga më të rëndat janë përzgjedhur për të vënë përballë performancën e inteligjencës artificiale me diagnostikimin e 58 dermatologëve nga vende të ndryshme", shpjegon autori kryesor i studimit, Holger Haenssle (Universiteti i Heidelbergut, Gjermani).

Dermatologëve u është kërkuar të bëjnë një diagnostikim të melanomave malinje apo të nevuseve beninje nga e para, duke u nisur vetëm nga fotot dermoskopike (niveli I) dhe të marrin një vendim se si ta menaxhojnë patologjinë. Pas katër javësh, dermatologët kanë marrë informacione klinike mbi pacientët dhe foto të përafërta të këtyre 100 rasteve (niveli II) dhe e kanë bërë sërish diagnostikimin.

Në nivelin e parë, dermatologët kanë zbuluar 86,6% të melanomave dhe kanë identifikuar saktësisht 71,3% të lezioneve jo malinje. Megjithatë, kur CNN-ja është kalibruar në të njëjtin nivel me mjekët për identifikimin e saktë të nevuseve beninje (71,3%), ajo ka zbuluar saktësisht 95% të melanomave. Në nivelin e dytë, dermatologët e kanë përmirësuar performancën e tyre, duke diagnostikuar me kujdes 88,9% të melanomave malinje dhe 75,7% të nevuseve beninje, por CNN-ja është shfaqur sërish superiore, duke treguar ndjeshmëri dhe specificitet më të lartë.

"Aktualisht, kujdesi diagnostikues për melanomën varet nga eksperienca dhe nga edukimi i mjekut përkatës. Inteligjenca artificiale premton një nivel më të standardizuar në këtë fushë. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë që kjo teknologji entuziazmuese të implementohet me siguri të plotë, si asistencë në vizitat klinike rutinë", shkruajnë Victoria Mar (Universiteti Monash, Melburn) dhe Peter Soyer (Universiteti i Kuinslandit).

 

Annals of Oncology 2018. Doi: 10.1093/annonc/mdy166
https://academic.oup.com/annonc/advance-article/doi/10.1093/annonc/mdy166/5004443

Annals of Oncology 2018. Doi: 10.1093/annonc/mdy191
https://academic.oup.com/annonc/advance-article-abstract/doi/10.1093/annonc/mdy191/5001432?redirectedFrom=fulltext


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>