sht272018
Hipermemoria autobiografike. Mekanizmat themelorë të qarkut prefrontal-hipokampal
Një studim i ri i Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA, i publikuar në "Proceedings" dhe i realizuar tërësisht në Itali, ka bërë të mundur kuptimin më të mirë të mekanizmave që qëndrojnë në bazë të së ashtuquajturës hipermemorie autobiografike.
"Kemi monitoruar tetë vetë me hipermemorie, që grupi i hulumtimit e ka veçuar në popullatën italiane duke nisur nga viti 2015 dhe 21 subjekte kontrolli me memorie normale-tipike. E jashtëzakonshme ishte se, përveçse kujtonin ditën e javës së një date të largët në kohë (për shembull, mbanin mend se 3 gushti 2011 ishte e mërkurë), subjektet me hipermemorie ishin gjithashtu në gjendje të tregonin se si ishin të veshur atë ditë, çfarë kishin ngrënë, çfarë filmi kishin parë e kështu me radhë. Edhe më befasuese është mungesa e plotë e hezitimit apo e përpjekjeve të ndërgjegjshme kur këto subjekte duhet të kujtojnë ngjarjet që kanë jetuar edhe dhjetëra vjet më parë", thotë Valerio Santangelo (Universiteti i Peruxhas dhe Fondacioni "Santa Lucia" IRCCS), autori kryesor i studimit.
Studiuesit u kërkuan subjekteve të rekrutuara që të kujtonin përvoja të reja autobiografike të kohëve të fundit, të tilla si hera e fundit që morën një tren, ndërsa iu nënshtruan një skanimi fMRI. Në 30 sekonda, individët duhej të shtypnin një buton për të treguar se e kishin gjetur kujtimin e duhur (faza e "hyrjes" në kujtim) dhe pastaj ta tregonin me detaje (faza e "përpunimit" të kujtimit).
Subjektet me hipermemorie autobiografike kanë kujtuar një numër më të madh dhe më të qartë të detajeve sesa subjektet e kontrollit. Nga pikëpamja funksionale, megjithatë, dallimet midis njerëzve me hipermemorie dhe atyre të kontrollit janë parë vetëm në fazën e hyrjes në kujtim dhe jo në përpunimin e këtij kujtimi. Gjatë fazës së hyrjes, në veçanti, subjektet me hipermemorie shfaqën një rritje në aktivizimin e korteksit prefrontal medial dhe lidhjes së tij funksionale me hipokampusin dhe kjo ndodhi para së gjithash në rastin e kujtimeve të largëta në kohë. Gjetjet e studimit tregojnë kështu se hipermemoria mund të konsistojë kryesisht në aftësinë për të hyrë në gjurmët e kujtesës që mund të dallohen nëpërmjet qarkut prefrontal-hipokampal që njerëzit me kujtesë normale tipike, në fakt, nuk arrijnë ta përdorin.
https://doi.org/10.1073/pnas.1802730115