dhj192024
Stimulimi i thellë cerebral përmirëson aftësitë motorike pas një paralize
Stimulimi i thellë cerebral i aplikuar në një rajon të trurit të paeksploruar më parë, për trajtimin e dëmtimeve të shtyllës kurrizore, çoi në përmirësime të konsiderueshme në lëvizjet e gjymtyrëve të poshtme te dy pacientë me lëndime të rënda të shtyllës kurrizore, sipas një studimi të botuar në Nature Medicine.
Stimulimi kishte për qëllim hipotalamusin anësor, një rajon i ndryshëm nga ato që zakonisht përdoren për të trajtuar sëmundje të tilla si Parkinsoni. Në testet e kryera te brejtësit dhe dy pacientë njerëzorë, stimulimi tregoi një efekt të menjëhershëm në përmirësimin e aftësive motorike.
Udhëheqësja e studimit Jocelyne Bloch nga École Polytechnique Fédérale de Lausanne, tha se pacienti i parë ndjeu menjëherë ndryshime të rëndësishme: "Pasi u vendos elektroda dhe filloi stimulimi, pacienti tha menjëherë: 'I ndjej këmbët'. Duke e rritur intensitetin, ai shtoi: 'Ndjej nevojën për të ecur!', Ky reagim në kohë reale konfirmoi se studiuesit kishin identifikuar rajonin e duhur, të lidhur kurrë më parë me kontrollin e këmbëve te njerëzit.
Pacienti i dytë, një burrë 54-vjeçar, i cili ka qenë i kufizuar në një karrige me rrota që nga viti 2006, pas një aksidenti në ski, raportoi përmirësime të prekshme menjëherë pas trajtimit, duke arritur të bënte "disa hapa" dhe të kryente veprime të përditshme, si kapja e objekteve.
Të dy pacientët treguan përmirësime afatgjata, të cilat vazhduan edhe kur stimulimi ishte i fikur. Ky studim përfaqëson një përparim premtues në trajtimin e dëmtimeve të shtyllës kurrizore dhe mund të hapë rrugën për terapi të reja për pacientët e paralizuar.