jan142025
Skizofrenia. Zbulohen shënjuesit e mundshëm për diagnostikimin e hershëm
Skizofrenia është një nga çrregullimet psikiatrike që ka një ndikim të madh si në cilësinë e jetës së të prekurve ashtu edhe në kostot e shëndetit publik. Pavarësisht kësaj, shkaqet e këtij çrregullimi janë kryesisht të panjohura dhe e vështirësojnë edhe më shumë identifikimin e shënjuesve biologjikë për diagnostikimin dhe prognozën e kësaj gjendje. Lidhur me këtë, një kërkim i fundit italian ka zbuluar disa bioshënjues të mundshëm në gjak, të cilët mund t'i japin një shtysë inovative diagnostikimit të hershëm të skizofrenisë.
Studimi, rezultatet e të cilit u publikuan në revistën Schizophrenia (Nature Group), u krye në CEINGE Biotecnologie Avanzate Franco Salvatore në Napoli dhe u koordinua nga Alessandro Usiello nga Universiteti i Campania Luigi Vanvitelli, në bashkëpunim me Antonio Rampino dhe Alessandro Bertolino nga Universiteti i Barit Aldo Moro dhe Francesco Errico nga Universiteti i Napolit Federico II.
"Eksperimentet tona kanë zbuluar se nivelet serike të dy aminoacideve atipike D-aspartate dhe D-serine mund të jenë bioshënjues të dobishëm gjurmimin e psikozës që në fazat e hershme të saj, përpara se simptomat e skizofrenisë të shfaqen klinikisht, duke u bërë kështu tregues potencial rreziku të kalimit nga fazat prodromale të çrregullimit në fillimin e plotë të sëmundjes", shpjegon Usiello.
Më tej, vazhdon neuroshkencëtari, "studimi, i cili zgjati mbi 5 vjet përdori metodologjinë e kimisë analitike për të matur nivelet e një sërë aminoacidesh që modulojnë gjendjen e aktivizimit të receptorëve të njohur si të përfshirë në patofiziologjinë e skizofrenisë. Në veçanti, falë bashkëpunimit të ngushtë me Spitalin e Barit, kemi ekzaminuar 251 individë, të ndarë në katër grupe diagnostikuese klinike, secili në një stad të ndryshëm të sëmundjes".
"Ne kemi vërejtur dallime të rëndësishme në përbërjen e aminoacideve të serumit të këtyre grupeve të ndryshme individësh", shton Rampino, autori i kryesor i studimit. Nisur nga pamje biokimike që iu shfaq, studiuesit mundën të kuptojnë se përparimi nga fazat prodromale dhe të hershme të sëmundjes në fazat në të cilat ajo nis të manifestohet klinikisht, derisa të bëhet kronike, karakterizohen nga një përbërje e ndryshme e mjedisit të D-aminoacideve që qarkullojnë në serumin e subjekteve të prekur. "Rezultatet tona tregojnë se përdorimi i shënjuesve të tillë periferikë në diagnostikimin e hershëm dhe stadifikimin e skizofrenisë, mund të jetë e dobishme. Eksperimentet duhet të përsëriten dhe të konfirmohen në grupe të tjera pacientësh në spitale të tjera, pasi ato mund të përfaqësojnë një hap të parë dhe të rëndësishëm në kërkimin për strategjitë lidhur me diagnostikimin e hershëm e skizofrenisë", përfundon Errico.