kor132022
Kontrolli i plakjes qelizore që bën të mundur pleqëri më pak traumatike
Në një studim të botuar në Nature, sugjerohen strategji të mundshme për të luftuar mekanizmat që rregullojnë plakjen qelizore dhe për rrjedhojë, gjendjen e dekadencës organike, që është tipike e pleqërisë. Studimi kishte për qëllim thellimin e njohurive mbi indet mbështetëse përgjegjëse për formën, mbështetjen mekanike dhe mbrojtjen e organeve në pleqëri.
"Organet janë struktura komplekse. Qelizat përgjegjëse për funksionet tipike të organit janë të rrethuara nga qeliza të tjera që garantojnë funksionimin e tij siç duhet", thotë autori kryesor i studimit Stefano Piccolo (Universiteti i Padovës). Këto struktura përbëhen nga qeliza, kryesisht fibroblaste, të cilat së bashku me proteinat përreth ruajnë një gjendje tensioni në inde. "Me kalimin e kohës, kjo strukturë tenton të degradojë dhe ky ndryshim është shenjë vuajtjeje për qelizat", vijon eksperti.
Studiuesit e lidhën rënien strukturore dhe funksionale të indeve të plakura me funksionin e dobësuar të efektorëve kryesorë të mekano-transduksionit qelizor YAP dhe TAZ. Aktiviteti i këtyre të fundit zvogëlohet gjatë plakjes fiziologjike në qelizat stromale dhe ekspertët kanë vënë re se plakja e përshpejtuar e qelizave mund të arrihet përmes inaktivizimit gjenetik të tyre.
Në të kundërt, ruajtja e funksionit YAP rinovon qelizat e vjetra dhe kundërshton shfaqjen e tipareve të lidhura me plakjen, qofshin ato fiziologjike, ose të shkaktuara nga një matricë jashtëqelizore e dëmtuar. Tiparet e plakjes të shkaktuara nga inaktivizimi i këtyre efektorëve paraprihen nga induksioni i plakjes së indeve dhe kjo ndodh sepse YAP/TAZ nuk janë më në gjendje të shtypin sinjalizimin e cGAS-STING, një tjetër efektor, i cili nëse nuk frenohet, përshpejton plakjen.
"Rezultatet tona tregojnë se rënia e mekano-transduksionit YAP/TAZ nxit plakjen duke shkaktuar sinjalizimin cGAS-STING. Prandaj, duke mbështetur transduksionin mekanik YAP/TAZ ose duke frenuar STING-un, mund të kufizohet inflamacioni i lidhur me plakjen dhe të favorizohet plakja e shëndetshme", përfundojnë ekspertët.
Nature: https://www.nature.com/articles/s41586-022-04924-6