shk12024
Shtohen diagnostikimet me tumor në Evropë. Studimi i ILSH dhe IKT
Në fillim të vitit 2020 në Evropë, 5% e popullsisë ishte diagnostikuar me kancer së fundmi apo më parë gjatë jetës së tyre, pra, gjithsej 23.7 milionë njerëz (12.8 milionë gra dhe 10.9 milionë burra). Ndër ta, 16% ishin nën 55 vjeç (3.74 milionë, prej të cilëve 2.32 femra dhe 1.42 meshkuj). Këto janë rezultatet e studimit të një grupi kërkimor ndërkombëtar, i koordinuar nga Instituti i Lartë i Shëndetësisë dhe Fondacioni IRCCS "Instituti Kombëtar i Tumoreve" në Milano, i cili vlerësoi prevalencën në vitin 2020, duke analizuar të dhënat nga regjistrat e tumoreve të 29 vendeve evropiane që morën pjesë në projektin e kërkimit të programit EUROCARE-6. "Rezultatet e studimit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është aktualisht, ose ka qenë e prekur nga kanceri. Ky numër është i destinuar të rritet dhe është akoma më i madh nëse marrim në konsideratë familjet dhe kujdestarët", shpjegojnë autorët.
"Shtimi i ngarkesës onkologjike, i kushtëzuar nga plakja demografike dhe në kombinim me kostot e larta të terapive novatore, ka ndërlikime serioze përsa i përket qëndrueshmërisë së sistemeve shëndetësore dhe të mirëqenies sociale. Këto të dhëna konfirmojnë urgjencën e përforcimit të parandalimit primar dhe diagnostikimin e hershëm. Parandalimi vazhdon të jetë rruga kryesore, jo vetëm për të ulur numrin e të sëmurëve, por edhe për të përmirësuar mundësinë e shërimit dhe cilësisë së mirë të jetës pas kancerit, siç e kanë shprehur qartësisht objektivat e Planit Onkologjik Evropian 2021-2027", shpjegojnë autorët e studimit. Kërkimi ka përfshirë 61 regjistra tumoresh në Evropë dhe është bazuar mbi të dhënat relative të pacientëve të diagnostikuar që prej vitit 1978 e deri në vitin 2013 (gjithsej janë më shumë se 19 milionë raste onkologjike dhe 32 tipologji tumoresh), prej të cilave 43% e rasteve, kryesisht femra, ishin diagnostikuar më parë me kancer gjiri (5.5 milionë) dhe 37%, meshkuj, ishin diagnostikuar më parë me kancer prostate (4 milionë). Kancerat kolorektalë ishin shkaku i dytë më i zakonshëm i diagnostikuar te të dyja gjinitë (3 milionë), duke u shfaqur më shumë te meshkujt sesa te femrat.
Studimi tregoi se nga viti 2010 deri në vitin 2020, numri i rasteve të përhapura të kancerit në Evropë u rrit mesatarisht me 3.5% në vit dhe me 41% gjithsej (nga 16.8 në 23.7 milionë), pjesërisht për shkak të plakjes demografike. Rritja ishte më e theksuar te meshkujt (+46%, nga 7.47 milionë në vitin 2010 në 10.9 milionë në vitin 2020), sesa te femrat (+37%, nga 9.34 në 12.8 milionë) për shkak të përbërjes së ndryshme të tumoreve që prekin dy gjinitë. Vlerësimi i të mbijetuarve për një periudhë afatgjatë, ose shumë afatgjatë është një veçori unike e studimit. Në fakt, u rindërtua prevalenca e plotë, e cila përfshin, si rastet e vëzhguara nga regjistrat e tumorit, ashtu edhe vlerësimin e rasteve të diagnostikuara përpara se të hapeshin regjistrat. Në vitin 2020, numri i rasteve të përhapura, të diagnostikuara në më pak se 5 vjet (8.86 milionë), ishte shumë më i ulët se numri i rasteve me jetëgjatësi që tejkalonte 5 vite, gjithsej 14.85 milionë, përkatësisht 5.75 milionë midis 5 dhe 10 viteve, 5.54 milionë nga 10 deri në 20 vjet dhe 3.55 milionë që jetojnë më shumë se 20 vjet nga momenti i diagnostikimit. Në përgjithësi, 38% e të gjitha rasteve të përhapura në Evropë që nga viti 2020 kishin mbijetuar më shumë se 10 vjet nga diagnoza (44% për femrat dhe 32% për meshkujt).
Studimi evidentoi gjithashtu dallime të rëndësishme në nivelet e prevalencës midis 29 vendeve pjesëmarrëse evropiane, shumë më të mëdha se ato të vëzhguara për incidencë. Për të gjithë tumoret malinje, vlerat maksimale midis 29 vendeve të ekzaminuara u gjetën në Gjermani, Itali, Belgjikë dhe Francë, ndërsa vlerat minimale u gjetën në Bullgari, Poloni dhe Sllovaki. Dallimet më të mëdha kanë të bëjnë me tumoret me ndryshueshmëri të lartë gjeografike në incidencë, si melanoma e lëkurës, për të cilën përqindja e rasteve të përhapura në popullatë ishte 8 herë më e lartë në Danimarkë sesa në Bullgari, për të dyja gjinitë. Autorët theksojnë se prevalenca vlerëson "studimet plotësuese mbi shërimet nga kanceri dhe mbi cilësinë e jetës së pacientëve me kancer dhe janë të dobishme për zhvillimin e udhëzimeve për ndjekjen, për të parandaluar tumoret e dyta, ose pasojat e vona dhe për të përmirësuar kujdesin gjatë gjithë rrugëtimit të sëmundjes". Për më tepër, "prevalenca, sipas kohëzgjatjes së sëmundjes, na lejon të përcaktojmë sasinë e popullsisë së prekur nga politikat, të cilat synojnë zbutjen e pasojave socio-ekonomike të sëmundjes, të tilla si punësimi, ose diskriminimi financiar".